Ditën e xhuma, më 29 dhjetor 2017, nga minberi i xhamisë së Plumbit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari lajmëroi fillimin e një cikli të ri hytbesh, në të cilin do të trajtojë kuptimet dhe mësimet që përfitohen nga ajetet e sures “El-Huxhurat”.
Në hyrje të këtij cikli të ri të hytbeve nga xhamia e Plumbit, Myftiu theksoi se nëpërmjet ajeteve të para të sures që mban emrin e shtëpisë së Resulull-llahut (a.s), ndryshe: “Dhomat”, All-llahu i Madhëruar edukon ymetin me etikën e komunikimit me të dërguarin e Tij.
Sot, tha Myftiu, duhet të mësojmë si të sillemi me tekstet e Traditave të Hz. Muhammedit (a.s), si t’i përvetësojmë në jetën e përditshme, si të dëshmohemi me vepra e sjellje, me moral e dije, muslimanë!
Ai tha se Islami po përhapet gjithandej nëpër botë dhe se era e rimëkëmbjes së ymetit islam përballë sfidave të armiqve të tij shekullorë po fryn në drejtimin e duhur!
Myftiu u lut që muslimanët e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë të kthehen nga feja e tyre, ta jetojnë Islamin dhe mos të gënjehen pas thirrjeve mashtruese që i duan shqiptarët pa besim e fé, pa moral islam e pa trashëgiminë.e të parëve.
Pas përfundimit të xhumasë, së bashku me disa besimtarë, Myftiu vizitoi vakëfin e Tabakut për të parë nga afër përfundimin e fazës së parë të pastrimit të këtij vakëfi shekullor.