Mbrëmjen e së mërkurës, më 31 janar 2018, në xhaminë e Kirasit u zhvillua tubimi përmbyllës i ciklit të mexhliseve të hadithit me temë: “Zekati i diturisë”.
Aktiviteti që nisi me leximin e një pjese kur’anore, vijoi me fjalën e rastit nga teologu Lavdrim Hamja. Ai vlerësoi këtë cikël tubimesh si mjaft të vlefshëm dhe me dobi për besimtarët.
Më pas, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u ndal te rëndësia që ka leximi dhe thellimi në kuptimin e shembullit të Hz. Muhammedit (a.s), si modeli më garant për të sotmen dhe të ardhmen e njerëzimit.
Ai tha, se Resulull-llahu (a.s) erdhi me një thirrje të pastër e të qartë, të ngritur mbi paqen dhe mëshirën, jo mbi anarkinë e përçarjen në rangun njerëzor.
Një ligjëratë me dobi mbajti edhe imami i xhamisë së Kirasit, teologu Ruzhdi Plangaj, i cili vuri theksin tek trashëgimia e të Dërguarit të All-llahut; dituria e dobishme dhe rrugëtimet drejt përfitimit dhe zënies së saj.
Mexhlisi u mbyll me ligjëratën e teologut Gilman Kazazi, i cili dha këshilla të dobishme, që lidhen me vlerën e dijes dhe respektimit të saj. Ai përmendi edhe detaje të dobishme nga sakrifica e dijetarëve të shkuar në rrugëtimet e tyre drejt zënies se diturisë.
Njëkohësisht lexoi dhe komentoi pesë hadithet e përzgjedhura me rastin e këtij cikli mexhlisesh, hadithe që janë të mbushura me porosi të shumta, që i vlejnë besimtarit për jetën e tij.
Për të pranishmit u shpërnda edhe broshura e botuar me këtë rast nga Myftinia Shkodër.
Aktiviteti në fjalë mblodhi për dhjetë mexhlise me radhë, gjatë krejt muajit janar 2018, besimtarë të shumtë që u tubuan në xhamitë e ndryshme të qytetit dhe fshatit, për të lexuar pesë hadithet e përzgjedhura nga teologu Gilman Kazazi, botuar nga Myftinia Shkodër në një botim special me rastin e Mevludit Sherifë 1439.