“40 hadithe me nga dy porosi”, ose: 80 udhëzime me vlerë nga i Dërguari i All-llahut

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Në veprën e tij: “El-Isnadu mined-din”, dijetari i thelluar, Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, ndër të tjera thekson: “Prej veçorive më të spikatura të ymetit muhammedan, është edhe specifika e isnadit në përcjelljen e sheriatit të pastër dhe dijeve të tij nga të parët tek të mbramët. Isnadi ishte kushti i parë në çdo dije të transmetuar…”[1] Dhe, siç thoshte Imam Abdull-llah Ibnul-Mubarek: “Isnadi (zinxhiri i transmetimit) është prej fesë dhe, sikur të mos ishte isnadi, do të thoshte kushdo çfarëdo e, sikur të pyetej: Nga kush e transmeton këtë? – do të ngelej i shastisur!”[2]

Të nderuar të pranishëm,

Në “Umde-në” e tij, Imam Bedruddin El-Ajni (v. 855 h.), shpjegon se: “Shpenzimi i jetës për nxjerrjen e thesareve (të Islamit), është prej veprave më të rëndësishme”[3], sikurse shpjegon, se nëpërmjet grumbullimit dhe shkrimit, “janë ruajtur traditat profetike”.[4]

Pastaj, ka një fjali të shkurtër, ku thotë: “Prej falënderimit (ndaj All-llahut), është shfaqja e dijes për ymetin!”.[5] Nga këtu, them: I nderuari thirrës islam, teologu dhe imami i xhamisë së “Dy Vajzave”, z. Lavdrim Hamja, e ka bërë më së miri obligimin ndaj shkollës së tij dhe vlerave të saj, ndaj vetë fesë dhe amanetit shekullor të të parëve tanë; përhapjen e dijes së dobishme, nëpërmjet botimeve të larmishme, ku secili në vete paraqet interes dhe dobi për lexuesin dhe kërkuesin e dijes.

Seria e katërt e kolanës së dyzet haditheve, të përzgjedhura, përkthyera e përshtatura prej tij në gjuhën shqipe, është një risi e bukur dhe plot dobi në historinë e botimeve islame në gjuhën shqipe. Është një risi, që pasqyron më së miri atë, që vetë autori thekson në parathënien e botimit të tij të ri: “Nuk ka dyshim, se pa e njohur jetën e të Dërguarit të Allahut (a.s), apo siç quhet ndryshe në terminologjinë islame, Synetin e tij, nuk mund ta ndjekim e ta pasojmë në vepra, në moral dhe sjellje.”[6]

Pikërisht, nëpërmjet kësaj vepre të vogël në dukje, lexuesi mund të përfitojë njëherazi 80 porosi të urta nga burimi i urtisë së Hz. Muhammedit (a.s). Sidomos sot, kur propaganda islamofobe, edhe në gjuhën shqipe dhe në trojet tona, mundohet të bëjë rolin e zhurmuesit dhe penguesit të pamoralshëm para duarve të rinisë dhe masës së gjerë, leximi i këtyre haditheve dhe i këtij model botimesh, mendoj se ka një rëndësi dhe vlerë të madhe në drejtim të pastrimit të imazhit të gabuar të krijuar rreth Islamit, si dhe në drejtim të përftimit të vlerave reale të fesë sonë, nga burimi i të Dërguarit të All-llahut!

Duke nisur nga hadithi i parë, autori sjell bashkëbisedimin e Resulull-llahut (a.s) me sahabiun Eshbah Ibnul-Kajs, të cilit, Resulull-llahu (a.s) i kishte thënë: “Tek ti janë dy cilësi, që i do Allahu: Durimi dhe maturia” – (h. 1, f. 11).

Aty mësojmë, se: “… Përçmimi i prejardhjes dhe vajtimi për të vdekurin” – (h. 2, f. 13), janë veçori të femohimit, që nuk lidhen me sjelljen, traditat dhe kulturën fetare të muslimanit!

“Shëndeti dhe koha e lirë” – (h. 3, f. 15), në sytë e Resulull-llahut (a.s) janë “dy begati”, në të cilat shumë prej njerëzve janë të mashtruar a të humbur, në raport me shfrytëzimin e tyre, si e sa duhet.

Aty mësojmë, se: “…Një njeriu, që Allahu i ka dhënë pasuri dhe e shpenzon atë në të drejtën dhe, një njeriu tjetër, që Allahu i ka dhënë Urtësinë (Kur’anin) e ai gjykon me të dhe ua mëson të tjerëve” – (h. 4, f. 17), janë njerëz për t’u pasur zili për mirë, sepse, në të vërtetë ta janë ndërtues vlerash në shoqëri. Si të thuash, Hz. Muhammedi (a.s) po na udhëzon drejt përsosmërisë, në forma e mënyra të ndryshme legjitime!

Autori, sjell edhe transmetimin e Imam Muslimit, prej të cilit mësojmë, se Resulull-llahu (a.s) ka specifikuar pasurinë dhe jetën, si të shumëdëshiruara nga njeriu: “Lakmia për pasuri dhe lakmia për të jetuar” – (h. 5, f. 19).

Aty do të gjejmë edhe disa prej shenjave të kijametit, për të cilat na ka lajmëruar i Dërguari i All-llahut. “Njerëz që me vete kanë kamzhikë si bishtat e lopëve, me të cilët qëllojnë njerëzit dhe, gra të veshura lakuriq, që përdridhen e ekspozohen” – (h. 6, f. 21), si një tërheqje vëmendjeje për t’u ruajtur nga zullumet dhe imoraliteti në shoqëritë njerëzore.

Resulull-llahu (a.s) thotë: “Turpi është prej besimit” – (h. 7, f. 23), si për ta vulosur me mirësi e virtyt, sjelljen dhe moralin e muslimanit dhe muslimanes në përditshmërinë e tyre!

Aty mësojmë korrektësinë dhe disiplinën me oraret e ndryshme, si dhe respektin dhe nderimin ndaj prindit: “Më e mira e punëve, (ose e punës) është: Namazi në kohën e tij dhe mirësjellja ndaj prindërve” – (h. 8, f. 25). Sepse, një njeri që disiplinon jetën e tij me faljen e namazit pesë herë në ditë, në orare fikse, natyrshëm që do të jetë një individ i vëmendshëm ndaj kohës së tij dhe shfrytëzimit të saj. Njëkohësisht, respekti ndaj prindit dhe shfaqja e tij, pa mungesë modestie, mbetet një ndër veçoritë karakteristike të muslimanit!

“Atëherë, mos e shtrij dorën tënde, vetëm se në të mirë dhe mos thuaj me gjuhën tënde, vetëm se mirë!” – (h. 9, f. 28), është një ndër urtësitë e spikatura të Hz. Muhammedit (a.s), nëpërmjet të cilës mësojmë dinjitetin dhe krenarinë, pastërtinë e gjuhës dhe integritetin e personalitetit të muslimanit në jetë.

Dikush e pyeti Resulull-llahun (a.s): Kush prej njerëzve është më i mirë? Tha: “Çdokush që e ka zemrën të dlirë dhe gjuhën të sinqertë” – (h. 10, f. 29). Ky është një udhëzim që vlen sa njëmijë fjalë dhe që ka një mirësi të madhe, që i sjell njerëzimit paqe dhe bekim!

Kështu, në krejt faqet e këtij botimi të ri, përgjatë leximit dhe komenteve të 40 haditheve, është e pamundur të mos përfitojmë diçka të re, që na shërben për të sotmen dhe të ardhmen tonë, në rrugën e përsosjes së marrëdhënies sonë me fenë dhe traditat e të Dërguarit të All-llahut!

Autorin e falënderoj që na mblodhi për këtë mirësi të madhe dhe këtë botim të ri, që natyrshëm i shtohet librotekave tona, duke i pasuruar ato.

Uroj dhe lutem, që teologët dhe thirrësit islamë të Shkodrës, por jo vetëm, të vazhdojnë të prodhojnë vlera, për të cilat kemi kaq shumë nevojë dhe të cilat, na shërbejnë për të rrugëtuar të sigurtë drejt kërkimit të pëlqimit të Zotit në jetën tonë.

Urime dhe suksese!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

 

(Fjala e mbajtur në promovimin e librit: “40 hadithe me nga dy porosi”,

 Shkodër, më 9 shkurt 2018)


[1] Shejkh Abdulfettah Ebu Guddeh, “El-Isnadu mined-din”, botimi i parë, Damask, 1992, f. 11.

[2] Po aty, f. 1.

[3] Imam Bedruddin El-Ajni, “Sherh Sahihul-Bukhari”, botimi i dytë, Liban, 2009, vëll. 1, f. 19.

[4] Po aty, f. 19.

[5] Po aty, f. 21.

[6] Lavdrim Hamja, “40 hadithe me nga dy porosi”, Shkodër, dhjetor 2017, f. 9.