Vakëfi i Fushë Çelës, dëshmi e bekimit të grabitjes së pronës legjitime!
Në vazhdën e informimit të masës së gjerë për zullumin e madh që po bëhet tek vakëfi i Fushë Çelës, i cili është grabitur në mënyrë flagrante dhe haku i Myftinisë Shkodër, që kërkohet prej më shumë se 30 vitesh, jo vetëm që nuk është kthyer, por i është dhënë padrejtësisht dikujt tjetër, mbi bazën e letrave të falsifikuara dhe të padrejta!
Këto ditë kanë nisur punimet për ngritjen e një objekti të çuditshëm në zemër të Shkodrës, në një pronë të njohur nga mbarë Shkodra si vakëfi i Fushës së Çelë Zylyftarit, por që paradoksalisht, i është certifikuar padrejtësisht jo të zotit legjitim; Myftinisë Shkodër/Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Për këtë çështje, Myftinia Shkodër e ka ngritur zërin në vazhdimësi, sikurse ka punuar sistematikisht me gjyqe e shkresa pa fund, për arritjen e të drejtës legjitime!
Bëjmë me dije se vakëfi i Fushë Çelës është pjesë legjitime e hartës së gjerë të vakëfeve të Shkodrës, për të cilën datojnë harta dhe dokumente të shumta, të cilat janë paraqitur në gjykata e institucione, ku besohet të fitohet e drejta, por që në këtë rast, e drejta e vakëfit është tjetërsuar dhe zhvatur barbarisht e në mënyrë primitive!
Fatkeqësia e madhe që kaploi kombin shqiptar me periudhën e errët të sistemit komunist bëri që shkatërrimi i xhamive dhe tjetërsimi i pronave të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të sjellë realitete të padëshiruara, me të cilat vazhdojmë të përballemi akoma edhe sot, edhe pse kanë kaluar 35 vite nga dita kur perdja e errët e komunizmit u duk se kishte rënë në këtë vend!?
Ditën e xhuma, më 3 tetor 2025, nëpërmjet ligjëratës së përjavshme në xhaminë e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari vazhdoi të tërhiqte vëmendjen për abuzimin flagrant që është bërë me vakëfet e Myftinisë Shkodër në përgjithësi.
Myftiu theksoi se: “Të xhumanë e kaluar u ndalëm te fesadi i madh, me të cilin përballemi te xhamia e madhe (Fushë Çelë). Në fakt nuk është vetëm xhamia “Ebu Bekër”, por shumë e shumë vakëfe të Myftinisë tonë, e shumë e shumë prej xhamive të Shkodrës përballen në këto 35 vite me një fesad të papranueshëm!
Është e çuditshme, sepse ne mendonim dhe besonim, të hutuar, se me rënien e perdes së komunizmit ky vend do të shpëtonte!
Kaluan 35 vite dhe fesadi i pronave ngeli si një gozhdë e ndryshkur në trupin e këtij vendi, që e duam dhe e kemi të shtrenjtë!
Kaluan 35 vite dhe në vend që sot të ishim rehat në xhamitë tona, të certifikuara, të kopsitura siç duhet, vazhdojmë dhe e ngrejmë zërin, shqetësohemi e trazohemi dhe trazojmë edhe të tjerët, për një fesad shumë e shumë të madh, me të cilin ne përballemi ditë-natë, dhe që çuditërisht dhe paradoksalisht nuk ka zgjidhje, e që në fakt zgjidhjen e ka shumë të lehtë, mirëpo pse nuk e gjen zgjidhjen, që e ka shumë të lehtë?!
Po flasim për një vjedhje dhe një grabitje flagrante të vakëfit në Fushë Çelë; unë e kam me tokën tonë që padrejtësisht nuk na është kthyer, e kam me një tokë që është haku i muslimanëve dhe hakun e muslimanëve nuk bën dhe nuk lejohet, as me fe e as me moral kombëtar, as me njerëzillëk dhe as me gjë tjetër, që ta gëzojë i pamunduari; kjo nuk shkon, nuk pranohet dhe nuk tolerohet!” – u shpreh Myftiu Sytari gjatë kësaj ligjërate.
Myftinia Shkodër vazhdon përballjen e saj legjitime me fenomenin e grabitjes së tjetërsimit të vakëfeve, deri në zgjidhjen e plotë të këtij problemi famëkeq.
Myftinia Shkodër do të vazhdojë të ndjekë të gjitha rrugët legjitime për mbrojtjen e hakut të saj dhe mos tolerimin e këtij krimi barbar me pronën e shenjtë!
Ligjëratën e plotë të mbajtur nga Myftiu i Shkodrës e gjeni në linkun e mëposhtëm:
