Ditën e mërkurë, më 11 prill 2018, tre komunitetet fetare të Shkodrës, organizuan një aktivitet sensibilizues me temë: “Droga, fajdet dhe lojrat e fatit – sfida që nxisin besimet”.
Gjatë këtij tubimi me vlerë, ku prezantonin drejtuesit kryesorë të tre komuniteteve fetare të Shkodrës, prefekti i Qarkut Shkodër, drejtori i policisë, kryetarja e komitetit të kulteve, intelektualë dhe besimtarë të shumtë, u dhanë mesazhe të shumta të dobishme, që tërheqin vëmendjen e rinisë dhe mbarë shoqërisë shqiptare për të mos rrëshqitur në kurthet e shejtanit, si dhe për t’u larguar nga ndalesat hyjnore, përhapja e së cilave e shkatërron jetën dhe e kthen njeriun në skllav të së keqes.
Fillimisht dhanë mesazhet e tyre, Imam Muhamed B. Muhamed B. Sytari, Atë Nikolla Petani dhe Mons. Angjelo Massafra, sikurse u paraqitën me kumtesat e rastit, teologu Idmir Plaku, Atë Nikolla Petani dhe dom Marian Gega.
Në kumtesat e pasura me argumente dhe mesazhe të qarta, u vu theksi te dëmet e mëdha që sjell përhapja e drogërave, fajdet, lojrat e fatit dhe ndalesat e tjera hyjnore, të cilat po marrin jetë njerëzish, po dëmtojnë ekonomitë botërore, po shkatërrojnë familje e po mbajnë peng zhvillimin e natyrshëm të individëve që kanë rënë në batakun e tyre.
U shpreh mirënjohje për bashkëpunimin ndërfetar në organizimin e tubimeve të tilla dhe dhënien e mesazheve të urta dhe qytetëruese, që ndërtojnë urat e të mirës dhe thërrasin drejt paqtimit me Zotin.