Pasditën e së mërkurës, më 4 maj 2016, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e “Dy Vajzave” një bashkëbisedim me temë: “Namazi në jetën e muslimanit”.
Në këtë aktivitet morën pjesë me ndërhyrjet e tyre: Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Idmir Plaku, imam i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë, si dhe teologu Arben Halluni, përgjegjës i arsimit në Myftininë e Shkodrës.
Gjatë trajtesave të prezantuara para të pranishëmve, u hodh dritë mbi rëndësinë që ka kuptimi i shpirtit të namazit dhe distancimi nga fryma e debateve pa vlerë rreth datave dhe ditëve, që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se e largojnë vëmendjen e besimtarëve nga thelbi i ngjarjeve dhe ndodhive të ndryshme historike islame.
U theksua se përkujtimi i datave dhe ngjarjeve të shënuara islame është traditë shumëshekullore, me qëllim që besimtarët të jenë përherë në kontakt me simbolikat e ngjarjeve dhe datave të shënuara dhe thelbin e tyre.
U theksua fakti se namazi është themeli kryesor i fesë islame dhe se pa namaz nuk realizohen as adhurimet e tjera. Njëkohësisht u hodh dritë mbi lidhjen logjike që ka falja e namazit me adhurimet e tjera, sikurse u sqarua se falja e namazit nuk kërkon thjeshtë veprime fizike, por përqendrim tek mundësia e lartësimit në shkallët e afrimit me Zotin e gjithësisë.
U sollën shembuj të bukur nga realitetet shqiptare dhe lidhja e shqiptarëve me namazin, shtyllën kryesore të Islamit.
U tërhoq vëmendja e të pranishëmve se falja e namazit nuk kushtëzohet me vendbanimin e qëndrueshëm, por mund të realizohet edhe në udhëtim, në gjendje shëndeti e sëmundjeje etj.
Aktiviteti u zbukurua edhe me këndimin e ilahive të bukura nga një grup medresistësh të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër.
Në fund, të pranishmit ndanë mendime dhe emocione të kësaj pasditeje të begatë në koktejlin e përgatitur me këtë rast.