Paraditën e së mërkurës, më 13 prill 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt një përfaqësi specialistësh të Bankës Islame për Zhvillim, me qendër në Xhiddah të Arabisë Saudite, nën drejtimin e Dr. Muhammed Ahmed Salim, specialist i zhvillimit urban dhe përgjegjës i projekteve vakëf.
Përfaqësuesit e Bankës Islame për Zhvillim, shoqëroheshin në këtë vizitë pune nga z. Uran Kalej, Drejtor i Vakëf-Investimeve në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi u diskutua për disa projekte të Myftinisë Shkodër në drejtim të zhvillimit të vakëfeve të ndryshme në Shkodër.
Myftiu bëri një prezantim të zhvillimeve të fundit në Shkodër dhe trajtimin e vakëfeve të muslimanëve në vendin tonë, sidomos pas vitit 1990.
Gjatë këtij takimi u vlerësua fryma e bashkëpunimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me Bankën Isame për Zhvillim, si dhe domosdoshmëria e rritjes së këtij bashkëpunimi në drejtim të zhvillimit të pronave vakëf në vendin tonë.
U vizituan disa vakëfe të qytetit, si dhe Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, dega djem, godina e së cilës është ndërtuar nga Banka Islame për Zhvillim.