Paraditën e së dielës, më 22 prill 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, së bashku me drejtorin e Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja dhe përfaqësuesin e donatorit nga Kuvajti, z. Meshari El-Anezi, zhvilluan një inspektim në terren për të parë ecurinë e punimeve për xhaminë e re në lagjen Draçin.
Me këtë rast, Myftiu shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e Myftinisë Shkodër për Shtetin e Kuvajtit dhe bamirësinë e donatorëve të shumtë të këtij vendi, duke theksuar se kontributet e shoqatave dhe fondacioneve të ndryshme kuvajtiane në Shkodër dhe Shqipëri kanë një rëndësi të veçantë në procesin e rimëkëmbjes islame, pas vitit 1990.
Gjatë këtij inspektimi, Myftiu e informoi mikun nga Kuvajti për historikun e vakëfit të lagjes Draçin, si dhe dinamikën e aktivitetit islam në Shkodër pas vitit 1990.
U theksua se akoma sot, ka lagje muslimane që nuk kanë xhami, edhe për shkak të tjetërsimit të vakëfeve dhe mungesës së vullnetit të institucioneve përgjegjëse për shpejtimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të vakëfeve të shenjta.
Myftiu ftoi bamirësit kuvajtianë për të shtuar kontributet e tyre në Shkodër në disa drejtime, në shërbim të interesave madhore të Thirrjes Islame.