Pasditën e së hënës, më 16 prill 2018, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Parrucës një tribunë fetare kushtuar mesazheve të mrekullisë së Israsë dhe Miraxhit përmes ajeteve dhe sureve të Kur’anit Famëlartë.
Dy imamët e xhamisë Parrucë, teologët Durim Kasemi dhe Naim Drijaj, hodhën dritë mbi kuptimet e ajeteve të sures “El-Isra” dhe sures “En-Nexhm”, ku jepen mesazhet e kësaj mrekullie, që erdhi si mbështetje hyjnore për zemrën dhe jetën e Hz. Muhammedit (a.s.), por edhe për çdo musliman deri në kiamet.
U shpjeguan bukur disa nga detajet kryesore të këtij udhëtimi të mrekullueshëm, duke u ndalur tek disa pika të rëndësishme të kësaj muxhizeje:
1. Mbështetja hyjnore për Hz. Muhammedin (a.s.).
2. Grada e lartë e Hz. Muhammedit (a.s.) mbi krejt të dërguarit e tjerë.
3. Vendi i lartë i Mesxhidi Aksasë tek krejt besimtarët.
4. Shoqëria e mirë dhe vlerat e saj.
5. Takimi i të dërguarve të Zotit, si mesazh për takimin e besimtarëve në harmoni e paqe.
6. Namazi, shtylla kryesore e Islamit dhe pozita e lartë e tij.
7. Selami i Hz. Ibrahimit (a.s.) drejtuar ymmetit islam.
8. Israja dhe Miraxhi, si sprovë për besimin e minafikëve.
9. Vendi i lartë i Hz. Muhammedit (a.s.) dhe traditave të tij ne jetën e muslimanëve.
10. Ruajtja e edukatës dhe moralit islam nëpërmjet korrektësisë së Hz. Muhammedit (a.s.) në këtë natë.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, që theksoi se, muslimanët në çdo kohë duhet të ndjehen krenarë me mësimet dhe mesazhet e Israsë dhe Miraxhit, që nxisin forcimin e krenarisë islame në jetë.
Ndërkohë, imami i xhamisë së lagjes Dërgut, teologu Ervil Kuçi, bëri konkluzionet e këtij tubimi, duke vënë theksin te rëndësia e madhe që ka leximi i kësaj mrekullie, si mbështetje shpirtërore dhe shtytje drejt përsosmërisë së besimit islam.