Mbrëmjen e së hënës, më 21 maj 2018, gjatë ceremonisë së promovimit të librit më të ri nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, “300 HADITHE”, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe znj. Greta Bardeli, Kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër.
Gjatë fjalës së saj, znj. Bardeli vlerësoi punën e Myftiut dhe misionin e tij, sidomos në drejtim të përhapjes së vlerave të harmonisë ndërfetare dhe përkrahjen e shtresave me vështirësi të ndryshme.
Me këtë rast, ajo lajmëroi se, në mbledhjen e datës 19 maj 2018, Këshilli i Qarkut Shkodër vendosi t’i akordojë titullin: “NDERI I QARKUT SHKODËR”, Imam Muhamed Sytarit, me motivacionin: “Si veprimtar i shquar për forcimin e mëtejshëm të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Qarkun Shkodër. Për mbështetjen shpirtërore dhe përkrahjen e njerëzve dhe në veçanti të atyre që përballen me vështirësi.”
Pas marrjes në dorëzim të këtij titulli të lartë, Myftiu tha se ky vlerësim është përgjegjësi, por mbi të gjitha, ai i përket angazhimit të imamëve, prijësve fetarë të Shkodrës dhe besimtarëve, që dijnë të ruajnë vlerat e besimit dhe në veçanti frymën e harmonisë në mesin e besimeve.
Ai tha se kjo vlerë është një amanet shekullor, që duhet ta ruajmë e ta kultivojmë tek breznitë e ardhshme, si një mirësi e paqes dhe bashkëjetesës në vendin tonë.
Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin autoritetet më të larta të Shkodrës, si: Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Prefekti i Qarkut Shkodër, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, Kryetari i Këshillit të Bashkisë Shkodër, Kryetari i Gjykatës, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Myftiu i Malësisë së Madhe, përfaqësues të Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse, drejtues të shoqatave, antarët e Këshillit të Myftinisë Shkodër, imamë, teologë, drejtues të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, intelektualë dhe familjarë të autorit.