Përpara se të ulesha për të rreshtuar këto fjalë isha në dilemën e fjalisë së parë, pas së cilës, fjalët ndjekin njëra-tjetrën në rrugëtimin e tyre të urtë drejt formësimit të një a disa ideve, që zakonisht nevojitet të serviren me një përkujdesje të veçantë në kësi trajtesash.
Dilemën e ndau një mesazh elektronik nga Amerika e largët. Prof. Sami Repishti më shkruante: “Shume i nderuemi Imam Sytari: Uroj qe ky mesazh te ju gjej shendosh e mire si ju ashtu edhe te gjithe te dashtunit tuej. Nji koleg amerikan me dergoj sot kete shkrim per lexim. Mjaft interesant dhe deshprues. Miljona viktima te pafajshme vuejne te zezat e ullinit rreth e rrotull bote qe heshte pa u turpnue!”…
Të dashur të ftuar,
Bota e sotme përpëlitet në vorbulla të çuditshme, herë-herë të frikshme e në raste të tjera thuajse imponuese drejt një fryme zhgënjyese, rrethuar nga diktati prej të forti arrogant, dhunës dhe urrejtjes, racizmit dhe frikësimit të njerëzimit me termat e luftës dhe shkatërrimit, që janë përhapur gjithandej, si tentakulat e një oktapodi të egërsuar vrastar.
Gjithandej flitet për vlerat qytetëruese, për moralin dhe familjen, për besimin dhe sigurinë, për ekonomitë e forta dhe mirëqenien, për zhvillimin teknologjik dhe arritjet shkencore. Kjo është diçka e vlefshme dhe tepër inkurajuese për brezat e ri dhe të ardhmen e botës sonë.
Por, në tërë këtë përplasje të realiteteve me propagandat, gjuhës së urrejtjes dhe hipokrizisë botërore, (që natyrshëm, reflektohet me shpejtësi marramendëse në realitete të ngushta lokale e provinciale të shoqërive të sforcuara dhe të mbajtura peng, si ajo ku jetojmë), rritjes së vazhdueshme të islamofobisë, deri në kufijtë e idiotësisë kolektive, si rasti i 300 intelektualëve francezë që para ca ditësh kërkuan cungimin e Kur’anit Famëlartë me eliminimin e disa ajeteve; rasti i pastorit amerikan që para ca kohësh “dënoi” me djegie Kur’anin Famëlartë; thirrjet raciste nga vende të ndryshme të BE-së dhe kancelarive të tyre për dëbimin e muslimanëve nga shtetet përkatëse; shkeljet flagrante të ligjeve për të drejtat e lirisë së besimit dhe dëshmimit të tij, gjithandej, deri në vendin tonë; deklaratat hipokrite të klasës politike të 28 viteve të fundit në raport me Islamin dhe muslimanët në vendin tonë, por jo vetëm, secili prej nesh, e ka për detyrë të mbajë pak hapin dhe të reflektojë për pak çaste.
A meriton të luftohet Islami dhe a është ai shkaku i shkatërrimit dhe humnerave ku ka degraduar sot, njeriu i shekullit 21? A është ky Kur’an (i pandryshueshëm, që nga momenti i parë i shpalljes dhe deri në kiamet), shkak i kësaj katrahure ku është katandisur jeta e njeriut mbi tokë? A janë porositë dhe udhëzimet e Vulës së të Dërguarve të Zotit të Vetëm të gjithësisë, shkak i prapambetjes dhe luftës, urrejtjes dhe përçarjes, apo raca e jonë po shkon symbyllurazi pas thirrjeve dhe propagandave të djallëzuara që e duan njeriun në luftë me vëllanë e tij njeri, që i duan besimet në garë të keqe kundër njëri-tjetrit, që e frymëzojnë njeriun drejt pandershmërisë në trajtimin e shenjtërive të tjetrit, që e bëjnë korrupsionin fé, mashtrimin vlerë, degjenerimin modë, shpërbërjen e familjes dhe legjitimimin përherë në rritje të fëlliqësisë dhe devijimit nga natyra e pastër në të cilën Zoti e krijoi njeriun, shenjë dashurie e shfaqje qytetëruese e të drejtave të njeriut?
Njeriu i kohës sonë është gjynah! Ka përpjekje të vazhdueshme për t’i verbuar dritën e arsyes, për t’i hequr ujin e fytyrës, i është lëkundur njësia matëse e të mirës dhe të keqes, i është abuzuar besimi dhe feja, i është prekur cipa e mendjes dhe logjikës, gati-gati është manipuluar deri në gradën e trajtimit si kavie eksperimentale, që nuk ka as mendje, as zemër, as të drejta e as korda zanore për të thënë fjalën e vet, nësë i ka mbetur gjë për të thënë.
Këto e të tjera arsye, që sillen rreth këtij diskursi, më kanë ngacmuar prej vitesh, që të merrem me përkthimin, përshtatjen dhe komentimin e jetës dhe veprës së Hz. Muhammedit (a.s.), të cilin, studiuesi amerikan Majkëll Hart, e vendos të parin, në listën e 100 personaliteteve më me ndikim në historinë e njerëzimit, në librin e tij të famshëm që doli në dritë këtu e 40 vite më parë, në vitin 1978.
Kjo përzgjedhje e tij, sikur i jep një tjetër dimension Dëshmisë së Zotit të Vetëm të botëve, kur thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartw nw tw Dwrguarin e All-llahu…”.[1] Njëkohësisht më shtyn më tepër drejt vlerësimit të amanetit të madh të trashëgimisë së tij, që unë besoj pa asnjë dyshim se, është garant që njeriu i sotëm të kthjellohet, të dritësohet e të rigjejë veten para duarve të historisë së vetë jetës së tij të përkohëshme!
Në librin me 300 hadithe që keni para duarve; punë me të cilën jam angazhuar që nga viti 2008, do të gjeni urtësi dhe këshilla, udhëzime dhe dritësime, që kam përzgjedhur nga 10031 hadithet e veprës së Imam Sujutit: “El-Xhamius-Sagir”.
Gjatë leximit, jam i bindur se do të kuptoni madhështinë e këtij Islami, në udhëzimet e të cilit gjejmë edhe udhërrëfimin më të përsosur drejt arritjes në gradët e perfeksionimit të marrëdhënies me Zotin, me veten, me tjetrin, me vetë jetën, me qëllimin e dëshmimit të njeriut si mëkëmbës i Zotit mbi tokë!
- “Më të mirët ndër ju janë më të mirët me familjen e tyre!” – (Hadithi nr. 3990, f. 244. Tabaraniu, nga Ebu Kebshe).
- “Më të mirët ndër ju janë më të mirët me gratë e tyre!” – (Hadithi nr. 3991, f. 244. Ibn Maxheh (dhe Dejlemiu, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 3, f. 572), nga Ibn Amri).
- “Më të mirët ndër ju janë jetëgjatët vepërmirë!” – (Hadithi nr. 3992, f. 244. Hakimi, nga Xhabiri).
- “Më i miri i shoqërisë tek All-llahu është më i miri i tyre për shokun e tij. Më i miri i komshive tek All-llahu është më i miri i tyre për komshiun e tij!” – (Hadithi nr. 3998, f. 244. Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Ibn Amri).
- “Më i miri i njerëzve është ai që më së miri e lexon Kur’anin, edhe ai që më së miri e kupton fenë e All-llahut, edhe ai që më së miri përkushtohet, edhe ai që më së miri urdhëron për mirë, edhe ai që më së miri ndalon të keqen, edhe ai që më së miri i ruan lidhjet farefisnore!” – (Hadithi nr. 4032, f. 246. Ahmedi, Tabaraniu (dhe Bejhekiu, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 3, f. 586), nga Durra bint Ebi Leheb).
- “Më i miri i njerëzve është më i dobishmi i tyre për njerëzit!” – (Hadithi nr. 4044, f. 246. Kudaiu, nga Xhabiri).
- “E mëshiroftë All-llahu një person që fiton nga hallalli, që shpenzon me maturi dhe që jep lëmoshë nga ajo që tepron, për ditën e varfërisë dhe nevojës së tij!” – (Hadithi nr. 4422, f. 271. Ibnun-Nexhar, nga Nana e jonë Aishe).
- “E mëshiroftë All-llahu një njeri; zemërmirë kur shet, zemërmirë kur blen, zemërmirë kur gjykon, zemërmirë kur kërkon të drejtën e tij!” – (Hadithi nr. 4434, f. 272. Bukhariu dhe Ibn Maxheh, nga Xhabiri).
- “Ruaju, mos i bëj keq njerëzve, sepse ajo e gropos të mirën dhe shfaq të metat!” – (Hadithi nr. 2899, f. 173. Bejhekiu, nga Ebu Hurejra).
- “Ruajuni nga ekstremizmi në fé, sepse shumë nga popujt para jush u shkatërruan nga ekstremizmi në fé!” – (Hadithi nr. 2909, f. 174. Ahmedi, Nesaiu, Ibn Maxheh dhe Hakimi, nga Ibn Abbasi).
- “Ruajuni nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, edhe nëse është nga një femohues, sepse asgjë nuk i bëhet perde asaj, nga All-llahu i Madhëruar!” – (Hadithi nr. 2915, f. 174. Simevejh, nga Enesi).
- “Po i posedove katër veçori, mos u dëshpëro për çfarë mund të kesh humbur nga kjo jetë: Sinqeriteti i fjalës, ruajtja e amanetit, mirësjellja dhe ruajtja nga ushqimi haram!” – (Hadithi nr. 912, f. 62. Ahmedi, Tabaraniu, Hakimi dhe Bejhekiu, nga Ibn Omeri).
- [Kur dërgonte ndonjërin prej shokëve të tij në ndonjë dërgesë (thirrjeje islame), i thoshte: “Jepni sihariq dhe mos i largoni njerëzit, lehtësoni dhe mos vështirësoni!”] – (Hadithi nr. 6612, f. 411. Ebu Davudi (dhe Muslimi, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 5, f. 137), nga Ebu Musai).
- “Kalonte pranë fëmijëve dhe u jepte selam!” – (Hadithi nr. 7174, f. 440. Bukhariu, nga Enesi).
- “Ai ishte më i miri i njerëzve, më zemërmiri i tyre, më guximtari i tyre!” – (Hadithi nr. 6477, f. 403. Bukhariu, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga Enesi).
- “Sjellja më e urryer për të ishte gënjeshtra!” – (Hadithi nr. 6500, f. 404. Bejhekiu, nga Nana e jonë Aishe).
- “Krejt ju jeni përgjegjës dhe secili prej jush do të pyetet për atë që ka në përgjegjësinë e tij! Prijësi është përgjegjës dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij! Burri është përgjegjës në familjen e tij dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij! Gruaja është përgjegjëse në shtëpinë e burrit të saj dhe do të pyetet për përgjegjësinë e saj! Shërbëtori është përgjegjës në pasurinë e zotërisë së tij dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij! Njeriu është përgjegjës për pasurinë e babait të tij dhe do të pyetet për përgjegjësinë e tij! Krejt ju jeni përgjegjës dhe secili prej jush do të pyetet për atë që ka në përgjegjësinë e tij!” – (Hadithi nr. 6370, f. 396. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, nga Ibn Omeri).
- “Mos u urreni, mos komplotoni kundër njëri-tjetrit, mos garoni në të keqe, jetoni o robër të All-llahut si vëllezër!” – (Hadithi nr. 9725, f. 577. Muslimi, nga Ebu Hurejra).
Të dashur të pranishëm,
Lutem me zemër, që Drita e këtyre mësimeve dhe udhëzimit islam të përfshijë botën, si një balsëm shërues dhe si një alternativë e garantuar për ta nxjerrë njeriun e kohës sonë nga errësira në dritë, nga urrejtja në harmoni, nga shthurja në moral, nga varfëria në mirëqenie.
All-llahu e begatoftë Shkodrën tonë, Shqipërinë e shtrenjtë dhe mbarë botën, në të cilën erdhëm për të dëshmuar Dashninë e Zotit dhe Paqen e përbotshme, për të marrë e për të dhënë, me mirësi e dinijitet!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 21 maj 2018
(Fjala e mbajtur në promovimin e librit: “300 HADITHE”)
[1] Kur’ani, El-Ah’zab: 21.