Mbrëmjen e së dielës, më 20 maj 2018, në xhaminë e “Dy Vajzave”, u organizua iftari i parë me xhematin dhe një grup imamësh të nderuar të Shkodrës.
Ky iftar vjen në kuadër të bashkëpunimit të Myftinisë Shkodër me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, që ndërmjetësoi për ndërtimin e kompleksit fetar në vakëfin e Shaban efendisë.
Pas faljes së namazit të akshamit me xhematë, sofrën e iftarit e përshëndeti imami i xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Lavdrim Hamja, i cili shprehu kënaqësinë e tij me rastin e këtij tubini vëllazëror.
Ndërkohë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi AIITC-në për këtë mirësi të madhe. Ai shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij edhe për drejtorin e Institutit, Dr. Ramiz Zekaj, sikurse u lut për mbarësi dhe adhurime të pranuara.
Në fjalën e tij përshëndetëse, teologu Alban Kodra, vuri theksin te fryma e vëllazërisë dhe e bashkëpunimit në Muajin Ramazan. Njëkohësisht shprehu urimet e tij për krejt agjëruesit, me lutjen që Zoti i Plotfuqishëm të pranojë veprat e mira dhe sakrificat e këtij Muaji të begatë.