Ishte viti 1991. Në Shkodër sapo kishte nisur puna për rimëkëmbjen e aktivitetit të Thirrjes Islame. Myftinia Shkodër ishte në hapat e saj të parë. Natyrshëm, vetë qendra e Bashkësisë Islame Shqiptare ishte në Shkodër, ndonëse çdo ditë e më shumë tërhiqej drejt kryeqytetit zyrtar, për t’u transferuar një ditë drejt tij, ndonëse Shkodra dhe aktivistët e saj kishin peshën dhe gjallërinë e krejt Shqipërisë.
Kurset fetare zhvilloheshin te shtëpija e Bajejve, aty ku kishte selinë e vet Myftinia Shkodër. Kujtoj me respekt mësuesit e parë të angazhuar në këtë lëvizje të hershme të rimëkëmbjes; z. Faik Hoxha, z. Faik Zaganjori, z. Nazim Bërdica, që përpiqeshin me aq sa kishin mundësi dhe me aq sa u kishte mbetur nga bagazhi i së shkuarës. Ndërkohë, një shërbim të madh e të pakrahasueshëm jepte Hafiz Mani (H. Sulejman Kraja), shok dersi me Hafiz Sabri Koçin. Përtej përgatitjes dhe formimit që kishte, puna dhe shërbimet e tij u lidhën me xhaminë e vjetër të Kirasit. Mbeti njeri i respektuar, dëshmitar i gjallë i trashëgimisë së hoxhallarëve të tij, në krye të cilëve qëndronte H. Muhamed Bekteshi.
Një gjë ishte garante dhe ndjehej kudo: sinqeriteti dhe shpirti i sakrificës, që në kësi rastesh mbulojnë shumë mangësi e nevoja, mbeten zbuluar deri në ditët e sotme…
Ndër aktivitetet e para, që nisi aty, te salla e shtruar me rrogoza, ku kryheshin faljet e namazeve, ishte edhe Hatmeja e Kur’anit, që më pas u transferua tek salla e faljes në Parrucë. (Rrogozat mblidheshin në fund të ditës dhe mbarteshin me fanatizëm drejt shtëpisë së muezinit Sheuki Rroji, që ritualin e transportimit të tyre e kishte thuajse të shenjtë. Shpesh e ndihmonim për t’i mbajtur drejt shtëpisë së tij, në afërsi të Myftinisë. Nuk e kam kuptuar se pse bëhej ky “ritual” i përditshëm, ose është një detaj i mjegullt, që s’ka marrë kurrë vëmendjen e duhur në hatrin tim.)
Personazhi më i spikatur i mexhlisit të Hatmes, ishte padyshim Haxhi Nuh S. Gavoçi! Ai ishte nismëtari i saj dhe personi që mbarte peshën kryesore, me leximin e rrjedhshëm e të ëmbël të Kur’anit. Kishte një vijë melodike të mrekullueshme. Pavarësisht se ai vinte nga shkolla e jetës, tabani familjar kishte bërë të vetën në formimin e tij dhe, falë përkushtimit të të atit, Hafiz Sulejman Gavoçit, ai e kishte mësuar përmendësh Kur’anin prej kohësh. E lexonte bukur e shtruar, sa dallimet në lexime ndërmjet tij dhe të tjerëve ishin si nata me ditën…
Ai, bashkë me Myftiun dhe disa të tjerë përreth tyre, kishin ndërmarrë një iniciativë të madhe, që nisi me Ramazan dhe vazhdoi si një traditë e mrekullueshme deri në ditët tona.
Dje, në përmbyllje të Hatmes së sivjetshme, aty në xhaminë e Parrucës, mbushur me besimtarë dhe besimtare, më dukej se ajo frymë e ai shpirt sakrifikues i para 27 viteve të shkuara, ishin përzier me dëshirën e sotme të baballarëve e nënave, djemve të rinj dhe pjemarrësve besnikë, që për 27 ditët e këtij Ramazan, si çdo Ramazan, ndoqën me shumë përkushtim leximet e komentimet e sureve dhe 30 xhyzeve të këtij Kur’an, me të cilin u bekua jeta e jonë që 15 shekuj më parë, kur nisi të shpallej për herë të parë!
Dje, teksa luteshim bashkarisht, ndjehej kudo mirësia e dhe bekimet, që rrethojnë mexhliset e Hatmes, në përfundim të së cilës ka një lutje të pranuar, siç thoshte Imam Bukhariu i madh, e siç vepron shumë kohë para tij sahabët e më të Mirit të gjithësisë… Nga ajo kohë e papërsëritshme, Hatmeja Sherife ngeli një traditë e vyer në mesin e muslimanëve, traditë që lidhet me Muajin Ramazan, por mbi të gjitha me respektin dhe përkushtimin ndaj vetë Kur’anit, Librit që ngelet Pishtar udhëzimi deri në kiamet.
Rahmet paçin të shkuarit, sinqeriteti dhe përkushtimi i tyre, vullneti dhe dëshira e madhe për ta ruajtur traditën dhe gjurmët e të parëve në kërkim të pëlqimit të All-llahut, nëpërmjet mexhliseve dhe tubimeve, me të cilat Ai mburret para melekëve të Tij..!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 11 qershor 2018