Të dashur dhe të nderuar besimtarë muslimanë, bashkëqytetarët e mi,
Me këndimin e ezanit të akshamit të kësaj dite, e dielë, më 5 qershor 2016, në horizontet tona shfaqet Hana e re e Muajit Ramazan për vitin 1437 hixhri. Këtë natë falim namazin e teravisë së parë të këtij Muaji Mubarek!
Me mbarësinë e All-llahut, ditën e hënë, më 6 qershor 2016, të gjithë nisim agjërimin njëmujor, duke iu bindur thirrjes së Zotit, duke respektuar Fjalën e Tij, duke rrugëtuar drejt stacioneve të shumta të përkushtimit në jetën tonë kalimtare.
Me këtë rast, ju ftoj përzemërsisht, ta respektojmë e ta nderojmë këtë mirësi hyjnore, që mbulon botën tonë, si një pelerinë e paqtë besimi, që na fton me dashurinë e Zotit, të rigjejmë vetveten, besimin, pendimin, rrugët e udhëzimit dhe kapjen pas fesë së Zotit me bindje dhe përkushtim.
Dita-ditës, bota e jonë po rrëshqet drejt greminave të afetarizmit, që e ka kthyer njeriun në armik të vetvetes, tjetrit, natyrës, tokësores, hyjnores, Zotit e Fjalës e Fesë së Tij!
Përhapja në masë e neglizhencës ndaj besimit dhe fesë, abuzimi me themelet e natyrës së familjes humane, reklamimi i shthurrjes si vlerë, mbështetja e hapët ndaj veseve dhe devijimeve në origjinën, që Zoti i ka krijuar gjërat në këtë univers, përhapja në masë e skamjes, varfërisë dhe keqpërdorimi i pasurive natyrore dhe intelektuale, që Zoti i ka falur këtij vendi dhe njerëzve të tij, duhet të na shqetësojë, të na alarmojë, të na nxisë për të ngritur zërin me të madhe kundër të keqes dhe mbështetësve të saj!
Muaji Ramazan, vjen pikërisht edhe si një mundësi reflektimi, meditimi, adhurimi e kthimi nga Zoti, tek i Cili është e ardhmja, para të Cilit do të llogaritemi, në dorën e të Cilit është gjithësia dhe shpirtrat tanë, që i kemi pranuar si një amanet i shenjtë, që duhet ruajtur e mbrojtur me përkushtim dhe dashuri!
Ju ftoj me zemër, t’ia hapni dyert e zemrave Zotit, të paqtoheni me të, ta dëboni shejtanin nga jeta e juaj e të mos lejoni që hijet e zeza të djallëzive të tij t’ju devijojnë nga identiteti juaj, nga dinjiteti islam, nga besa e shekujve dhe origjina e lashtë e baballarëve, që e dëshmuan All-llahun, Hz. Muhammedin, Kur’anin dhe vlerat islame, si pragun e tyre në marrëdhënie me jetën e kësaj bote dhe të përtejmen!
Me zemër të mirë Muajin e Kur’anit, stinën e bamirësive, stacionin e gjallërimit të fesë nëpërmjet praktikimit të adhurimeve; namazit, agjërimit, zekatit, por jo vetëm!
All-llahu e begatoftë Shkodrën, Shqipërinë, trojet tona etnike, ymmetin islam dhe mbarë botën!
Mubarek Ramazanin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 5 qershor 2016