Me këndimin e ezanit të akshamit të ditës së dielë, më 5 qershor 2016, është sinjalizuar edhe hyrja e Hënës së re të Muajit Ramazan 1437.
Kështu, nata e parë e teravisë ka tërhequr drejt xhamive të Shkodrës besimtarë të shumtë, që kanë nisur kështu adhurimet e natës së parë të Ramazanit të sivjetshëm, agjërimi i të cilit fillon ditën e hënë, më 6 qershor 2016.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, këtë vit zgjodhi xhaminë e re të fshatit Kullaj, si stacionin e tij të parë të namazit të teravisë.
Ndonëse nuk është inauguruar ende, xhamia e re në fshatin Kullaj ka hapur sonte dyert e faltores së saj për besimtarët muslimanë, që prej shumë kohësh e kanë pritur këtë ditë të gëzuar.
Myftiu mbajti edhe një bisedë fetare, ku vuri theksin te vlerat e mëdha të agjërimit dhe muajit Ramazan, si dhe veçoritë, me të cilat Zoti i gjithësisë ka dalluar ymmetin islam nga popujt e tjerë.
I pranishëm në faljen e teravisë në xhaminë e re në Kullaj ishte edhe Imam Didmar Faja, prijës i Qendrës së Bashkuar Islame të Arizonës. Në fjalën e tij para xhematit, imami i nderuar këshilloi të pranishmit që ta vlerësojnë mirësinë e kësaj xhamie dhe të punojnë për ruajtjen dhe konsolidimin e unitetit dhe vëllazërisë islame në mes vete.
Namazi i teravisë është një traditë profetike e veçantë për muajin Ramazan. Teravia falet pas namazit të jacisë dhe ka njëzet rekate.