Nga minberi i xhamisë së fshatit Guci e Re, ku ishte të xhumanë, më 19 tetor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari ishte i qartë në mesazhin e dhënë nga minberi i kësaj xhamie: “All-llahu i Madhëruar urdhëron në suren El-Haxh: “Veprojeni të mirën, që të triumfoni”. Veprojeni të mirën, në trajtën e shquar, në të gjitha fomat, në të gjitha mënyrat, çdo ditë, çdo natë, pafundsisht!
“Veprojeni të mirën”. Me ba mirë, me folë mirë, me pa mirë, me mendu mirë, me shku mirë, me u dëshmu për mirë! Dikush thotë: Unë nuk kam pasuri për të ba mirë! Jo! Nuk është në diskutim a ke, a nuk ke pasuri! Ti ke mendjen, ke gjuhën, ke syrin, ke veshin, ke zemrën, ke familjen, ke farefisin, ke shoqërinë, ke xhaminë, ke fshatin, ke qytetin, ke tokën ta punosh!
“Veproni të mirën!”. Bëje të mirën në punën tënde, punoje mirë tokën tënde, sillu mirë në familjen tënde, shko mirë me shoqërinë tënde, bëje një të mirë për xhaminë tënde; pastro diçka, jepi selam vëllezërve tuaj, jepi një gotë ujë një të moshuari! Shko në shtëpinë tënde, foli me të mirë njerëzve të tu, buzëqesh në fytyrën e tyre! Ti po bën mirë!
Me fjalë të tjera, All-llahu i Madhëruar po na tregon me këtë pjesëz të vogël të këtij ajeti se, sistemi ynë në marrëdhënie me gjithësinë, me veten, me tjetrin, me Zotin para të gjithave, por edhe me vetë jetën, është e mira, o vëllezër!
Prandaj, teksa urdhërohemi për të bërë të mirën dhe e nxisim këtë në mesin e krejt shoqërisë, në të njëjtën kohë refuzojmë nga kushdo, në çdo kohë, në çdo vend e në çdo formë, që të na etiketojë ne me të kundërtën e asaj që urdhëron All-llahu i Madhëruar! Ne urdhërohemi për të vepruar të mirën, dikush na etiketon me të keqen, nuk shkon kjo! Nuk pranohet kjo, e refuzojme këtë!”.