Myftiu priti imamë të nderuar shqiptarë në Zvicër
Ditën e mërkurë, më 23 korrik 2025 Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt e vëllazëror imamët e nderuar shqiptarë, H. Festim Miftari e H. Valon Iljazi, me aktivitet në Zvicër.
Gjatë takimit, Myftiu i Shkodrës, shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e madh të imamëve shqiptarë në diasporë, si dhe përpjekjet e tyre për përhapjen e vlerave islame dhe ato kombëtare në mesin e popujve të tjerë.
Bashkërisht kujtuan momente të paharruara nga vizitat e Myftiut në Zvicër dhe bashkëpunimet me vlerë ndër vite.
Myftiu i njohu imamët e nderuar edhe me historikun e Islamit në Shkodër, kontributet e disa prej personaliteteve islame të shquara ndër shekuj, si dhe i ftoi për të vizituar bashkërisht edhe xhaminë e Plumbit.
Me këtë rast, vëllezërit e shtrenjtë patën mundësi të shihnin nga afër këtë vepër të shtrenjtë me peshë, që zbukuron Shkodrën dhe hartën e Islamit në mbarë trojet shqiptare.
Gjatë vizitës në xhaminë e Plumbit, imamët e nderuar u njohën me historikun e xhamisë së Plumbit, Zonës ku ajo gjendet, si dhe simbolikën e saj për muslimanët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, me theks te ngjarja historike e 16 nëntorit 1990.
Për nder të vëllezërve të dashur, Myftiu i Shkodrës shtroi një drekë, gjatë së cilës u këmbyen biseda me vlerë dhe interes të përbashkët.










