Me ftesë të Kryetarit të Bashkësisë Islame Shqiptare në Zvicër, Mr. Fehim Abazi, ditën e dielë, më 2 dhjetor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vizitoi Qendrën Islame Shqiptare të Lozanës, në Zvicër.
Gjatë bashkëbisedimit me Kryetarin e B.I.Sh. në Zvicër, Myftiu theksoi se ka ardhur koha që muslimanët shqiptarë në Zvicër të afrohen përherë e më shumë, duke dëshmuar veten të denjë për mbartjen e përgjegjësisë historike të njohjes së fesë islame me ligj në shtetin zvicerian.
Nga ana e tij, Mr. Fehim ef. Abazi e informoi Myftiun për aktivitetet e larmishme të xhamive shqiptare në Zvicër, si dhe përpjekjet e dëshmuara për rritjen e këtij aktiviteti, duke dëshmuar në vazhdimësi përhapjen e vlerave të Islamit dhe forcimin e vetëdijes islame.
Pas namazit të jacisë, Myftiu mbajti edhe një ligjëratë për të pranishmit, ku hodhi dritë mbi rëndësinë që ka ripërtëritja e besëlidhjes me Resulull-llahun (a.s.), për të ndjekur përherë udhëzimin e tij.