“Sa e sa po dëgjojmë për njerëz që japin borxhe me fajde, që japin borxhe me shtesa marramendëse..!? Njerëz që po lënë shtëpitë e tyre. Njerëz që po arrijnë deri në ekstremitete për shkak të këtij krimi të madh, që quhet: fajde!
Vepruesi i fajdeve ka mallkimin e All-llahut në këtë botë dhe poshtërim në ditën e gjykimit! Po le të ketë sa mali i Taraboshit me miliona dhe miliarda se, pasha All-llahun as sa një fije floku nuk do të ketë dobi prej tyre, pasi të jetë larguar nga kjo botë! Përpos faktit se, nuk ka as sa një fije floku bereqet ajo pasuri, që është vendosur nga mundi dhe djersa e të tjerëve! Ajo është haram!”
Kjo ishte një pjesë e mesazhit, me të cilin, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua komunitetit, nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, teksa po fliste për shfaqjen e gjynaheve të mëdha në shoqëri dhe domosdoshmërinë e ndryshimit, bazuar në tekstet e fesë!
Myftiu theksoi se, shirku me krejt format e tij, magjia në krejt format e saj, vrasja e të pafajshmit, fajdet, ngrënia e pasurisë dhe hakut të jetimit, dezertimi dhe ikja nga përgjegjësitë e jetës dhe akuzimi i nderit të grave të moralshme; janë krime dhe gjynahe të mëdha, prej të cilave duhet distancuar!
Ai theksoi gjithashtu se, lista e këtyre krimeve, që e shkatërrojnë fenë dhe jetën arrin deri në 70 dhe se, Islami është garanci për shërimin e shoqërisë dhe individit nga çdo lëngatë shkatërruese!