Nga xhamitë e Shkodrës dënohet “Festa e Miqësisë” përballë xhamisë në Fushë Çelë

Nga xhamitë e Shkodrës dënohet "Festa e Miqësisë" përballë xhamisë në Fushë Çelë

Nga xhamitë e Shkodrës dënohet “Festa e Miqësisë” përballë xhamisë në Fushë Çelë

Ditën e xhuma, më 11 shtator 2026, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, qytet e fshat, u mbajt hytbeja e njësuar, kushtuar rëndësisë së dijes dhe shfrytëzimit të kohës për t’u lartësuar me dije e besim, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

Nga xhamia e Tophanës, Imam Muhamed B. Sytari, i kujtoi besimtarëve periudhën e Mbretit Zog, kur lënda e mësim-besimit ishte pjesë e kurrikulave të arsimit shqiptar.

Ai përmendi edhe premtimin e pa mbajtur të qeverisë shqiptare për rikthimin e kësaj lënde, sikurse tha se është detyrë e prijësve fetarë të kërkojnë me këmbëngulje një gjë të tillë.

Nga ana tjetër, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, u dënua shfaqja e papranueshme e “Festës së Miqësisë”, përballë xhamisë në Fushë Çelë, ku Bashkia Shkodër dhe një biznes alkooli, po promovojnë për disa ditë konsumimin e asaj që në trashëgiminë islame dhe tabanin qytetar shkodran njihet si: “Nana e të zezave!”

Nga xhamia e Parrucës, imami i saj, H. Naim Drijaj, kritikoi këtë veprimtari që bie ndesh me shpirtin e besimit islam.

Nga xhamia “Ebu Bekër”, imami i saj, H. Idmir Plaku, theksoi se promovimi i pijeve dehëse, është tërheqje flagrante drejt shkatërrimit të shoqërisë.

Nga xhamia e Dërgutit, imami, H. Ervil Kuçi, theksoi se, shthurja në masë, shoqëruar me nxitjen e harameve në mënyrë publike, është shfaqje e dhimbshme e dekadencës shoqërore.

Edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, nga minberi i xhamisë së Tophanës, bëri thirrje që shoqëria të ndërgjegjësohet dhe të braktisë këto tubime të zbrazëta nga mëshira e bekimet hyjnore.

Ky organizim i Bashkisë Shkodër, ndër vite, ka marrë përherë kundërshtinë e fortë të besimtarëve muslimanë dhe reagime nga Myftinia Shkodër.