Paraditën e së shtunës, më 2 shkurt 2019, falë kontributit të Fondacionit “Mirësia”, u bë e mundur ndihmesa e një familjeje të varfër në zonën e Postribës.
I pranishëm ishte edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, që falënderoi mbështetjen e madhe të Fondacionit “Mirësia” dhe drejtorit të saj, z. Korab Kaja, që kishte ardhur me këtë rast.
Mjerimi dhe skamja, në përhapje kudo në vendin tonë, ka dekada që ka përfshirë edhe zonën e Postribës, sikurse edhe qytetin e Shkodrës, ku të shumta janë familjet me probleme ekonomike.
Për shkak të qeverisjes së keqe, realitetet e zonave të ndryshme, sidomos Postribës, mbeten një njollë e madhe turpi në hartën e vendit.
Përtej thirrjeve të shumta të bëra nga imamët dhe xhamitë tona, si dhe përtej ndihmave të shumta nga ana e shoqatave bamirëse islame dhe Myftinisë Shkodër, realitetet janë këto, përtej premtimeve të pambajtura të deputetëve dhe partive politike, që vijnë vërdallë, sidomos në prag të fushatave elektorale!
Myftinia Shkodër tërheq vëmendjen e institucioneve dhe përfaqësuesve të popullit, që të kenë frikë Zotin dhe të dëshmojnë përgjegjësi dhe pjekuri në trajtimin e situatave aspak të pranueshme të mjerimit dhe skamjes, ku është zhytur vendi!