Ditën e mërkurë, më 6 shkurt 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari zhvilloi një inspektim në terren, ku ndoqi nga afër arritjet e deritanishme në prag të përfundimit të këtij kompleksi fetar dhe kulturor, me shumë rëndësi për banorët e zonës së Anës së Malit.
Myftinia Shkodër është e interesuar që në çdo lagje dhe në çdo fshat, ku jetojnë muslimanë në zonën e Shkodrës, të ngrihen xhami të reja, qendra kulturore, libroteka, salla sportive, salla leximi dhe ambiente bashkëkohore në shërbim të komunitetit.
Xhamia e re dhe qendra kulturore e fshatit Oblikë, pritet t’i shërbejnë krejt zonës, që prej kohësh e kishte nevojshme një investim të tillë.
Ndërkohë, Myftinia Shkodër në bashkëpunim edhe me Njësinë Administrative Ana e Malit, Bashkinë Shkodër dhe institucione të tjera, po bën të gjitha përpjekjet për pastrimin e vakëfit të Oblikës nga ndërtimet pa leje, të cilat jo vetëm që e shëmtojnë pamjen e zonës, por janë bërë pengesë evidente për përfundimin e plotë të projekteve të Myftinisë në këtë zonë.
Për këtë, bashkëpunimi me komunitetin dhe personat e përfshirë në këtë çështje, është i një rëndësie të veçantë.