Gruaja nga këndvështrimi i ajetit 35 të sures “El-Ah’zab”

“Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përulurit e të përulurat, mirëbërësit e mirëbërëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (gjynahesh) dhe shpërblim të madh!”.[1]

Imam Ebu Mensur El-Maturidi (v. 333 h.), në tefsirin e tij të këtij ajeti sjell edhe shkakun e shpalljes së këtij ajeti, që përbën në vetvete një ndër kulminacionet më të spikatura të historisë shekullore të qytetërimeve njerëzore në trajtimin e gruas dhe lartësimin e pozitës së saj!

Thotë, bazuar mbi transmetime të shumta: [Umu Seleme (r.a.), bashkëshortja e Resulull-llahut (a.s.), bashkë me një grua të quajtur Nusejbe bintu Ka’b, erdhën tek i Dërguari i All-llahut (a.s.) dhe i thanë: O i Dërguar i All-llahut, pse Zoti ynë i përmend për të mirë burrat në Kur’an dhe nuk i përmend fare gratë? – Me këtë rast, u shpall ajeti: “Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet…”].[2]

Mjafton ky ajet, për të dëshmuar madhështinë e Islamit në trajtimin e gruas në jetë, plot dinjitet e nderim, plot përulje e përkujdesje; që, parë në hapësirat e thirrjeve të teksteve të shumta kur’anore dhe atyre të Resulull-llahut (a.s.), na frymëzojnë përherë e më shumë drejt përhapjes së tyre në shoqëri, me bindjen absolute se në to gjendet shërimi i plotë i sëmundjeve bashkëkohore, që e kanë dobëuar deri në shkatërrim, cilësinë e jetës mbi tokë, si pasojë e prishjes dhe imoralitetit, shthurrjes dhe çlirimit nga përgjegjësitë në jetë!

Përtej të gjitha leximeve dhe interpretimeve, njerëzimi nuk do të gjejë si Islami; Kur’ani dhe Tradita e Hz. Muhammedit (a.s.) në trajtimin e femrës; si bijë, si nënë, si bashkëshorte, si motër, si edukatore të nderuar e të respektuar!

Shihni se si trajtohet femra në shoqëritë e sotme materialiste dhe se si ky model dekadent, po tentohet të katapultohet dhunshëm edhe në realitetet shqiptare, nëpërmjet përpjekjeve të ndryshme që bëhen drejt “çlirimit të femrës” në shoqëritë e hapura, “lirisë absolute” në shoqëritë moderne, e të ngjashme!? Të gjitha këto përpjekje të dëmshme dhe lajkatare, duan të shkatërrojnë tabanin e shëndoshë, që bazohet mbi edukimin fetar të vajzave, motrave, nënave e grave!

“Shkurt mund të thuhet se Kur’ani me principet udhërrëfyese të vetat, femnen e mashkullin e ka bamë qi të bashkohen në fushën e drejtsís e të barazimit me të drejta të njajta. Dmth, mashkullin e ka zbritë nga pozita dhunuese e tiranike dhe femnen e ka naltsue nga pozita e poshtrimit”[3], siç shkruhet edhe në shtypin tonë islam të vitit të largët 1930!

Por, ajo që është më e rëndësishme për t’u përmendur në këto kontekste, është se cila është detyra e imamëve, vaizeve, thirrësve islamë në drejtim të thirrjes me urtësi e largpamësi, larg tendencave të ekstremizmit dhe leximit të cungët të teksteve dhe fetvave, që shpesh kanë ndikuar në etiketimin e fesë islame me çfarë nuk e meriton dhe me çfarë nuk është në realitet!

Ku jemi në drejtim të përhapjes së mësimeve qytetëruese të fesë tonë dhe edukimit fetar të brezit të ri, në realitetet e mungesës së lëndës së edukatës fetare në shkollat e vendit tonë, si dhe përtej demagogjisë së premtimeve elektorale dhe tendencave të përhapjes së ateizmit dhe afetarizmit, edhe nëpërmjet tribunave politike dhe ithtarëve të rinj të frymërave të reja që e duan shoqërinë njerëzore larg besimit dhe fesë, larg disiplinës së besimit dhe përkushtimit ndaj Fjalës së pandryshuar të Zotit; Kur’anit Famëlartë, si garanci e padiskutueshme dhe krejtësisht e mundshme për ndreqjen e asaj që dekada e shekuj kanë prishur në jetën e njeriut!

Të dashur të pranishëm,

Imam Shihabuddin El-Alusi (v. 1270 h.), përmend një detaj me rëndësi në shpjegimin e ajetit të lartpërmendur, thotë: [“muslimanët dhe muslimanet”, dmth, ata që kanë hyrë në botën e paqes, të nënshtruarit ndaj ligjit të All-llahut të Madhëruar, ata që ia kanë dorëzuar jetën e tyre All-llahut të Madhëruar, burra a gra qofshin].[4]

Këtë duhet të synojmë me krejt përpjekjet tona në proceset e edukimit të brezit të ri, nëpërmjet vaseve, hytbeve, takime sporadike, ligjëratave, tribunave fetare, në medrese, në mejtepe, në gazeta, në revista, nëpërmjet rrjeteve sociale, emisioneve radiofonike, atyre televizive dhe me krejt mundësitë legjitime që na janë dhënë në këtë kohë! Nuk duhet të ndalemi për asnjë moment dhe aq më tepër të stepemi përballë propagandave të mbështetura nga faktorë të huaj dhe axhenda të përgatitura kushedi se ku, që vijnë të gatshme dhe gjejnë terren të përshtatshëm për vegjetimin e tyre tek individë të dobët të kësaj shoqërie dhe çdo shoqërie në botë!

Duke iu rikthyer ajetit të 35 të sures El-Ah’zab, në librat e tefsirit gjejmë se: “All-llahu i Madhëruar , nëpërmjet këtij ajeti deshti të na vërtetojë se gruaja është njësoj si burri në obligime dhe në vlerësim; ajo është e ngarkuar me Islam, me besim, me adhurim, me durim, me përulje, me mirëbërje, me agjërim, me ruajtje të nderit e me përmendjen e shumtë të All-llahut, njësoj si burri. Kjo vërteton edhe një herë ajetin kur’anor: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”[5]… Madje femra besimtare ka një pozitë të lartë tek All-llahu, më të lartë se ajo e njëmijë burrave të shthurrur! Gruaja e bindur është e afërt me All-llahun, ndërsa burri i shthurrur, larg Tij! Prandaj, mashkulli dhe femra, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat, vajzat dhe djemtë, të gjithë janë të barabartë tek All-llahu, asnjëri nuk qëndron më afër, përveç se nëpërmjet adhurimit ndaj Tij!”[6]

Për fund të këtij vështrimi të shpejtë, iu ktheva librit të famshëm të Hoxhës tonë Vehbi S. Gavoçi, “Gruaja muslimane”. Në botimin e tetë të tij, gjeta edhe këtë shënim thelbësor: “Islami e ktheu gruan në natyrën e saj të origjinës, në të cilën e krijoi All-llahu. Islami e ktheu gruan në udhëzimin, që All-llahu i Madhëruar ia zbriti njeriut të parë, Ademit (a.s.), për të mirën e njerëzimit! Sepse Islami është ide dhe sistem, Islami është e vërtetë dhe udhëzim dhe, nuk është lidhur ndonjëherë ideja e saktë, duke qenë ide e saktë, me kohën, sepse ajo qëndron mbi kohën! As është lidhur ndonjëherë e vërteta, duke qenë e vërtetë, me kohën, sepse ajo qëndron mbi kohën!

A nuk e ke parë të vërtetën, besën, turpin, dashamirësinë ndaj njerëzve, solidaritetin  në të mirë, bindjen ndaj udhëheqësit në të mirë, etj.; të gjitha këto janë çështje të vjetra dhe edukatë e kaluar, porse ato sundojnë çdo kohë dhe qëndrojnë mbi çdo kohë, sepse koha është enë dhe shfaqje, ndërsa e vërteta – Islami është e vërteta – ajo është origjina dhe thelbi!”.[7]

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Kumtesë e mbajtur në Konferencën e 8-të vjetore të imamëve,

teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës, më 23 shkurt 2019)

 


[1] Kur’ani, El-Ah’zab: 35.

[2] Imam Ebu Mensur El-Maturidi, Te’vilatu Ehlis-Sunne, botimi i parë, Liban, 2005, vëll. 8, f. 384-385.

[3] Artikulli me temë: “Grueja duhet të respektojë Kur’anin mâ teper se mashkulli”, në revistën “Zani i Naltë”, vjeti VI, Dhilhixhe 1348 – Majë 1930, nr. 6, f. 1027.

[4] Imam Shihabuddin El-Alusi, Rruhul-Meani, botimi i 4-t, Liban, 2014, vëll. 11, f. 201.

[5] Kur’ani, En-Nahl: 97.

[6] Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi, Tefsirun-Nabulsi, botimi i parë, Aman, 2016, vëll. 7, f. 294.

[7] Vehbi Sulejman Gavoçi, El-Mer’etul-muslime, botimi i 8-të, Damask, 1999, f. 31-32.