“Si të ishte një copë Hëne!” – Aktivitet në përkujtim të Lindjes e Begatë të Pejgamberit Muhammed (a.s)

“Si të ishte një copë Hëne!” - Aktivitet në përkujtim të Lindjes e Begatë të Pejgamberit Muhammed (a.s)

“Si të ishte një copë Hëne!” – Aktivitet në përkujtim të Lindjes e Begatë të Pejgamberit Muhammed (a.s)

Në kuadër të atmosferës të Muajit Rebiul-Evel 1447, ditën e xhuma, më 12 shtator 2025, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Plumbit aktivitetin me temë:  “Si të ishte një copë Hëne!”

Ky aktivitet, me pjesëmarrjen e besimtarëve, imamëve dhe nxënësve të mejtepeve, ishte një ndërthurje ndërmjet këndimit të ajeteve kur’anore, ligjërimit, këndimit të pjesëve të Mevludit dhe Ilahive të ndryshme.

Pas fjalës së hapjes nga teologu Arben Halluni, në ligjëratën e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, u ndal në mënyrë të veçantë tek urdhëresa kur’anore për të gëzuar në vazhdimësi për mëshirën e Allahut dërguar ndër ne, Hz. Muhammedit (a.s).

Myftiu theksoi se përkujtimi i vazhdueshëm i të Dërguarit të Allahut nëpërmjet aktiviteteve të shumta dhe të larmishme na frymëzon përherë e më shumë për t’u kapur pas rrugës, udhëzimit dhe dritës së të Dërguarit të Allahut (a.s), për të ruajtur vlerat e besimit dhe për të jetuar me dinjitetin e besimtarëve të përkushtuar.

Myftiu e cilësoi këtë tubim si “Mevludin e fëmijëve” dhe falënderoi në mënyrë të veçantë mësuesit e përkushtuar të mejtepeve të xhamive Vukatanë dhe Oblikë, si dhe imamët e tjerë për sakrificën dhe mundin e tyre në edukimin brezit të ri në besimin në Allahun e Madhëruar dhe dashurinë për të Dërguarin e Tij, Hz. Muhammedin (a.s).

Në vijim të këtij aktiviteti, besimtarët e pranishëm patën kënaqësinë të ndjekin paraqitjen me ilahi dhe recitime nga nxënësit e mejtepeve të xhamive Vukatanë dhe Oblikë si dhe këndimin e disa pjesëve të Mevludit nga imamët H. Vullnet Pishtari, H. Gëzim Dunga dhe H. Bujar Hoxhani.

Aktiviteti u mbyll me shpërndarjen e botimeve të reja të Myftinisë Shkodër dhe ëmbëlsirat e Mevludit për fëmijët dhe të pranishmit.