Ditën e mërkurë, më 27 shkurt 2019, pas namazit të akshamit në xhaminë e lagjes Dërgut, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet me temë: “Fjala e mirë është sadeka”, ku ligjëruan imamët e nderuar Ervil Kuçi dhe Gilman Kazazi.
Në fjalët e tyre, imamët hodhën dritë mbi respektimin e fjalës në fenë islame, për vlerën e fjalës së urtë dhe të matur, si dhe dobitë e saj në këtë botë dhe në jetën e përtejme.
Në ligjëratën e tij, teologu Ervil Kuçi, imam i xhamisë së Dërgutit, shpjegoi hadithin: “Fjala e mirë është sadeka”, ku u ndal te kuptimet e sadekasë dhe vlerën që ka përzgjedhja e fjalëve në jetë.
Ai tha se, muslimani ndërton me fjalë, nuk vret me të, as fyen, as rëndon, as mbjell fitne, as mashtron, as gënjen! Njëkohësisht theksoi se, fjala e mirë, si: dhënia e selamit, këshillimi, mbështetja e nevojtarit, etj., janë vlera qytetërues, me të cilat muslimanët janë spikatur gjatë historisë.
Ndërsa teologu Gilman Kazazi, imam i xhamisë “Ebu Bekër”, foli me hollësi për ajetet kur’anore që na ftojnë drejt përmirësimit të gjuhës së komunikimit me të tjerët në jetë; muslimanë qofshin, a jo.
Imami i nderuar solli shembuj të shumtë dhe me vlerë nga jeta e të parëve, prej hoxhallarëve e dijetarëve të shkuar, në gjurmët e të cilëve gjejmë shembuj konkretë të trupëzimit të vlerave islame.
Ndër të tjera, ai nxiti mirëpërdorimin e fjalës, përzgjedhjen e saj dhe moslëndimin e të tjerëve, qoftë edhe kur i drejtohemi për t’i shprehur një të vërtetë të hidhur.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari. Ai solli në vëmendje të besimtarëve të pranishëm realitetin e shoqërisë së sotme shqiptare, si dhe përhapjen e fjalëve të ulëta dhe aspak të këndshme edhe në komunikimin e përditshëm të rinisë.
Myftiu solli disa shembuj konkretë nga ngjarje të jetuara, sikurse iu referua edhe një shkrimi të Lumo Skëndos, botuar në revistën “Zani i Naltë” në vitin 1926, në të cilin bën thirrje për ruajtjen nga devijimi në të folur dhe mosbastardhimi i gjuhës së përditshme me fjalë të ulëta, sharje e fyerje.
Në fund, teologu Lavdrim Hamja, pasi falënderoi ligjëruesit dhe të pranishmit, lajmëroi se takimi i radhës do të jetë ditën e martë, më 5 mars 2019, pas namazit të akshamit në xhaminë e lagjes Dudas.