Paraditën e së enjtes, më 28 mars 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë në Fondacionin “Mirënjohja”, Tiranë, ku u prit nga drejtori i tij, z. Samed Shehu.
Gjatë këtij takimi të përzemërt, Myftiu shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin me Fondacionin “Mirënjohja”, si dhe kontributet e hershme të këtij fondacioni bamirës në zonën e Shkodrës, ku gjatë këtyre viteve të rimëkëmbjes islame, janë ndërtuar xhami dhe janë siguruar mbi 400 jetimë.
Nga ana e tij, z. Samed Shehu e falënderoi Myftiun për vizitën e tij, sikurse shfaqi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Gjatë takimit u theksua domosdoshmëria e bashkëpunimit dhe gjetjes së rrugëve për vijimësinë e projekteve të dobishme, sidomos në Shkodër.
Me këtë rast, Myftiu e falënderoi z. Samed Shehu për angazhimin e tij për të arritur finalizimin e marrëveshjes për ndërtimin e një kompleksi të ri islam në qytetin e Shkodrës.
Myftiu la edhe një shënim në librin e përshtypjeve të Fondacionit “Mirënjohja”, ku vlerësoi punën dhe kontributet, si dhe shprehu lutjet e tij për mbarësi dhe suksese në vazhdimësi.
Në këtë vizitë, Myftiu shoqërohej nga teologu Lavdrim Hamja dhe menaxheri i pronave, z. Blendi Alushi.