Ditën e mërkurë, më 27 mars 2019, në xhaminë e Medresesë u zhvillua tribuna fetare me temë: “Pasha kohën!”, ku u mbajtën ligjërata dhe këshilla me dobi për besimtarët e pranishëm.
Aktiviteti, që vjen në kuadër të këshillave fetare dhe ligjëratave me rastin e Tre Muajve të Mirë, që ka ndërmarrë Myftinia Shkodër në xhami të ndryshme të qytetit dhe fshatit, u zhvillua pas namazit të akshamit.
Fillimisht, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua të pranishëmve me disa këshilla dhe udhëzime që lidhen me vlerën e kohës dhe shfrytëzimin e saj në mënyrë që muslimani të dëshmohet si njeri i qytetëruar dhe i ditur, ndërtues i vlerave dhe përhapës i sigurisë dhe paqes në shoqëri.
Ligjërata me vlerë mbajtën edhe teologët e nderuar Adil Cukali, imam i xhamisë së Medresesë dhe Ardit Hoxha, imam i xhamisë Shirokë, të cilët hodhën dritë mbi komentimin e ajeteve dhe haditheve që lidhen me nxitjen hyjnore për vlerësimin e kohës dhe shfrytëzimin e saj në jetën e përkohëshme të kësaj bote.
Ligjëruesit e nderuar sollën shembuj të larmishëm nga hadithet e përzgjedhura dhe jeta e të parëve tanë, prej sahabëve, tabiinëve dhe imamëve të shquar të ymetit islam, në trajtimin e kohës dhe përfitimin prej saj.