Jo me e djegë pemën! Jo me e prishë pyllin! Jo me e vra jetën në lumenjtë dhe detrat tonë!

Gjyshet tona na kanë edukuar, që kur ta shohim bukën në tokë, ta marrim, ta puthim, ta vëmë në ballë dhe me ta vendosim tutje. Mos të lejojmë që të shkelet buka. Pra, mos me leju që të abuzohet me nimetin e Zotit!

Mirëpo, ky veprim e ka origjinën e tij tek Pejgamberi i jonë (a.s.), i cili e pa një ditë Nanën tonë, Hz. Aishen (r.a.), teksa kishte në dorë një copë bukë dhe i tha: “O Aishe, përkujdesu për mirësinë e All-llahut dhe nderoje atë, sepse po shkoi, vështirë se kthehet më!”.

Pra, e këshilloi dhe e udhëzoi Nanën tonë dhe nëpërmjet saj krejt besimtarët dhe njerëzit e mirë, deri në ditën e fundit, që ta vlerësojë mirësinë e All-llahut (xh.sh.), sepse sa më tepër që e falënderojmë Zotin e gjithësisë për nimetet e Tij të panumërta, aq më tepër na e shton bereqetin dhe të mirat në jetë!

Ka disa ditë që malet tona janë të mbushura me tym. Një tymnajë e madhe. Duket se ka zjarre. Mirëpo, kjo nuk është kohë zjarresh, nuk është stinë zjarresh. Pse del tym prej maleve tona? Pse kjo mirësi dhe kjo begati, me të cilën All-llahu i Madhëruar ka begatuar zonën tonë, çohet dëm?

Kemi harruar ta falënderojmë Zotin për biodiversitetin, për natyrën, për florën dhe faunën, me të cilën e ka begatuar tokën tonë, qytetin tonë, vendin tonë! Ka vende që nuk i kanë këto bukuri natyrore. Ndoshta do t’i dëshironin, por nuk i kanë! Ne na i ka dhanë Zoti, e kemi për detyrë për t’i ruajtur dhe ta falënderojmë Zotin në vazhdimësi për këto begati të panumërta!

Jo me e djegë pemën! Jo me e prishë pyllin! Jo me e vra jetën në lumenjtë dhe detrat tonë!

Ka vite e vite që ka gjueti të paligjshme në Bunë, në Drin, në Kiri, në det! Ka vite e vite, që krijesat e Zotit, me të cilat ka begatuar tokën tonë e natyrën tonë, po shuhen nga korrenti, nga dinamiti, nga shpërthimet!

Ka vite e vite, që mirësi e begati me të cilat Zoti e ka begatuar këtë tokë, këtë Shkodër tonë të shtrenjtë, Shqipërinë; po transformohen, po zhduken! Pse vëllezër?

All-llahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: “Ju, patjetër që do të pyeteni atë ditë (në ditën e gjykimit) për begatitë!”. Do të pyeteni edhe për ato pyje që digjen, do të pyeteni edhe për ato krijesa që hidhen në erë me dinamit, a me korrent…!

Unë i përkas një brezi, që po t’i flas fëmijëve të mi sot, për disa lloje peshqish, a disa lloje shpendësh, që i kujtoj nga fëmijëria e ime, ata as që e kanë idenë se çfarë janë. Pse? Sepse janë shuar dhe po shuhen nga keqpërdorimi i mirësisë së All-llahut për këtë vend dhe në këtë vend!

Prandaj, të shtrenjtë vëllezër, ta kemi frikë Zotin e Madhëruar dhe t’i ruajmë begatitë, me të cilat na e ka zbukuruar jetën dhe ta falënderojmë All-llahun për çfarë na ka dhënë, sepse mirësitë po shkuan, vështirë se kthehen!

Resulull-llahu (a.s.) thoshte: “Flini dhe kur të zgjoheni, veproni mirë!”. Dhe prej të vepruarit mirë, në raport me mirësitë e All-llahut të Madhëruar, është edhe mbrojtja e ambientit, mbrojtja e natyrës, përkujdesja për nimetet, me të cilat, Krijuesi ynë e ka begatuar jetën tonë, natyrën tonë; biodiversitetin!

(Pjesë nga hytbeja e xhumasë, që Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti sot, më 29 mars 2019, në xhaminë e lagjes Dërgut)