Edhe këtë vit, me fillimin e Muajit Ramazan, Myftinia Shkodër organizon tubimin tradicional të Hatmes së Kur’anit Famëlartë, leximin e plotë të Fjalës së All-llahut, çdo ditë pas namazit të iqindisë në xhaminë e Parrucës.
Pas faljes së namazit me xhemat, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari mbajti një fjalë përshëndetëse, ku ligjëroi mbi vlerat e leximit të Kur’anit dhe atë të tubimit në xhami e shtëpi për të kryer këtë traditë të lashtë të Resulull-llahut (a.s.).
Myftiu ftoi të pranishmit që të angazhohen maksimalisht për të përjetuar me përkushtim këtë tubim, që na lidh me Fjalën e All-llahut të Madhëruar; urdhëresat, ndalesat, historitë, këshillat, urtësitë, etj.
Ai falënderoi edhe imamët që do marrin pjesë me xhematin për të realizuar me mbarësinë e All-llahut këtë mirësi, duke theksuar se shpërblimi i tij aktiviteti është i madh.