Mbrëmjen e së hënës, më 20 maj 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari ishte i ftuar në emisionin “Tonight” në Star Plus Tv, ku bashkëbisedoi mbi temën e Ramazanit me gazetarin Erzen Koperaj.
Ndër të tjera Myftiu vlerësoi se muaji Ramazan është muaj i forcimit të familjes dhe farefisit, ku solli në vëmendje të teleshikuesit edhe mirësinë e madhe të pranisë së prindërve, si një bekim i garantuar në këtë sofër bujare.
Duke folue për sofrën e iftarit, shpjegoi: “Ne themi shpesh se Ramazani është muaji i familjes, i shoqërisë, duke u nisur edhe nga fakti i shtimit të sofrave të iftarit. Nuk është meseleja për të ngrënë a për të pirë. Çështja është tek syri, tek zemra, tek fytyra e qeshur, me të cilën ne komunikojmë.
Unë po flas për veten dhe për familjen time. Ne përherë me prindët. Dhe i them krejt të rinjve: Ai që ka mundësi të jetë me peindët, gjithmonë të jemi me prindët! Kur je me prindin, sado i shthurrur të jesh, sado i hutuar të jesh, ty do të zënë bekimet e prindit tënd! Prindin e kemi derën garante të llastimit para duarve të Zotit!
Bekimet e prindit dhe prezenca e tyre janë garanci hyjnore për jetën tonë! Në muajin e madhërishëm të Ramazanit, sofrat e iftarit me prezencën e nanës dhe babës janë sofra më të shtrenjta se me këdo tjetër në botë!
Edhe nëse nuk kemi asgjë tjetër në tryezë, mjafton që kemi fytyrën e qeshur të prindit, praninë, fjalët dhe zërin e këtyre dy njerëzve të shenjtë e të shtrenjtë!
Përndryshe, sofra në të cilën bashkohemi me vëllanë, me motrën, me axhën, me hallën, me dajën, me tezen, është sofër e shenjtë, sepse është mbledhur farefisi!”.