Me ftesë të Mr. Fehim ef. Abazi, Kryetar i Bashkësisë Islame Shqiptare në Zvicër, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në aktivitetet e zhvilluara në disa prej qendrave islame shqiptare të Zvicrës, ku ligjëroi dhe dha këshillat e tij, në atmosferën e muajit të begatë të Ramazanit 1440.
Të shtunën, më 18 maj 2019, Myftiu ligjëroi mbi vlerat e familjes dhe trajtimit të saj në Kur’anin Famëlartë dhe Traditat e Hz. Muhammedit (a.s.).
Në këtë tribunë, ligjëroi edhe mjeku i mirënjohur shqiptar në Lozanë, Dr. Gëzim Dushi, i cili hodhi dritë mbi vlerat e agjërimit në aspektin shëndetësor.
Myftiu mbajti edhe ligjëratën, që i paraprin namazit të jacisë dhe teravisë, ku vuri theksin tek leximi i thelluar i konceptit të “Sunetit” në jetën e muslimanit, duke e pastruar traditën e Hz. Muhammedit (a.s.) nga abuzimet flagrante të dekadave të fundit dhe rrëshqitjes së habitshme drejt konkluzioneve sipërfaqësore dhe përçarëse të traditave shekullore dhe shfaqjes së qytetëruar të muslimanit në jetë.
Të dielën, më 19 maj 2019, Myftiu ligjëroi në aktivitetin e xhamisë shqiptare “Drita” në Gjenevë, ku foli mbi rëndësinë e leximit me meditim të Kur’anit Famëlartë dhe rrezikut të devijimit të muslimanëve në shembullin dekadent të beni israilëve në marrëdhënie me Librin e Shenjtë.
Në këtë aktivitet ligjëroi fillimisht edhe personaliteti i shquar i mendimit islam në trojet shqiptare, H. Shaqir Fetahu, Myfti i Gostivarit.
Me rastin e kësaj vizite në Gjenevë, Myftiu ndau edhe urimet e përzemërta me rastin e Muajit Ramazan 1440, me imamin e kësaj qendre, H. Rijad Aliu me bashkëpunëtorë.
Ndërkohë, në mbrëmje, Myftiu ligjëroi në xhaminë e Fondacionit të Rinisë Islame në Zyrih, ku foli mbi vlerat e rikthimit të njeriut nga Zoti, nëpërmjet dyerve të lutjes, sidomos në Muajin e Kur’anit dhe lutjes.
Myftiu zhvilloi edhe një bashkëbisedim me drejtuesin e këtij fondacioni të mirënjohur për shërbimet e vyera ndaj muslimanëve shqipfolës, z. Lulzim Lecaj, sikurse shprehu vlerësimet e tij për aktivitetin e RTV Islam dhe botimeve të shumta e me dobi, që kryen Fondacioni i Rinisë Islame në Zvicër.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu takoi edhe imamin e xhamisë “Ikre” në Brutisellen, z. Shaban Azizi me të cilin zhvilloi një bashkëbisedim vëllazëror.