Ditën e enjte, më 7 nëntor 2019, ashtu siç ishte lajmëruar, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Medresesë aktivitetin tradicional me rastin e përkujtimit të Lindjes së Hz. Muhammedit (a.s.) dhe Mesazhit dhe Dërgesës së tij, si mëshirë për të gjitha krijesat.
Aktiviteti nisi me leximin e një pjese kur’anore nga medresisti Alen Bala, që u pasua nga fjala e hyrjes, mbajtur nga teologu Lavdrim Hamja.
Gjatë saj, imami i nderuar i xhamisë së “Dy Vajzave” vuri theksin te rëndësia e tubimeve, në të cilat përkujtohet emri dhe mesazhi i Hz. Muhammedit (a.s.), shembulli më i përkryer për këdo që dëshiron të udhëzohet drejt Zotit dhe dritës së Tij.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, i cili theksoi se përkujtimi i kësaj ngjarjeje të madhe dhe kësaj dite të shënuar, mbetet përherë një stacion që na fton të rikthehemi tek modeli i papërsëritshëm i Hz. Muhammedit (a.s), si i dërguari i fundit dhe vula e krejt dërgesave dhe shpalljeve të mëparshme hyjnore.
Më pas, ligjëroi Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari. Në krye të herës, ai u ndal për të bërë një falënderim publik për lajmin e gëzueshëm dhe arritjes së shënuar të medresistëve dhe medresisteve të Shkodrës, të cilët u kthyen me 4 çmime të larta nga Konkursi Ballkanik i Kur’anit Famëlartë, që u mbajt para pak ditësh në Prishtinë.
Më pas, në ligjëratën e tij, Myftiu hodhi dritë mbi disa mirësi dhe bekime, me të cilat i Dërguari i All-llahut, Hz. Muhammedi (a.s.) ndëroi vlera dhe përhapi dritë besimi për mbarë njerëzimin.
Myftiu tha se, shembulli i Hz. Muhammedit (a.s.) na bën të ndjehemi krenar, të jetojmë me kokën lart dhe ta dëshmojmë madhështinë e Islamit, kudo e me këdo!
Ai ftoi të pranishmit, që këtë Dritë të pashuar, ta marrin dhe ta përhapin gjithandej, duke qenë të bindur se po i bëjnë shërbimin më të mirë vetes, familjes, kombit e njerëzimit!