“Mirë se vjen Resul i pritun, mirë se vjen për botën mbarë!”

Tubimet e muslimanëve për të kujtuar Lindjen e Begatë të Resulull-llahut (a.s.), leximin e jetës së tij, përshkrimin e moralit dhe mirësjelljes së tij, janë pa dyshim tubime të begata të dijes dhe afrimit me All-llahun e Madhëruar, Zotin e botëve, për të cilat njeriu shpërblehet, siç na mësojnë të parët tanë!

Sa më shumë të shtohen këto tubime, sa më tepër të lexohet për të Dërguarin, sa më shumë të thellohet muslimani në kuptimin e thelbit të Thirrjes së Resulull-llahut (a.s.), aq më mirë e më dobi ka për të dhe shoqërinë e tij, aq më afër shembullit të tij jemi!

Ndërsa debati i pakuptimtë rreth legjitimimit a jo të këtyre mexhliseve, është paradoks i madh, në batakun e të cilit njerëzit tërhiqen, për të eklipsuar vëmendjen dhe rrugëtimin e tyre të natyrshëm drejt dashnisë dhe lidhjes së vazhdueshme me të Dërguarin e All-llahut!

Nëse Lindja e tij (a.s.) është shoqëruar me shenja e mrekulli, që tërheqin vëmendjen e botës drejt madhështisë së asaj dite dhe simbolikës së saj për botën, natyrshëm që përkujtimi i saj, (jo si adhurim i shpikur dhe natyrshëm ilegjitim), është një moment reflektimi për të ripërtërirë ndër ne besën e Resulull-llahut (a.s.), mesazhin e tij, thirrjen e përbotshme dhe madhështinë, me të cilën Zoti i gjithësisë e begatoi shfaqjen e tij, si “mëshirë e dhuruar”!

(Mesazh nga hytbeja e xhumasë, më 8 nëntor 2019, në xhaminë e Parrucës)