Pas vitesh të shumta përpjekjesh dhe angazhimi për rikthimin në identitet të vakëfeve tona të shenjta, trashëgim i burrave fisnikë muslimanë të Shkodrës, sot, ditën e xhuma, më 24 janar 2020, nisi aksioni për pastrimin e një pjese të vakëfit të grabitur në zonën Zdralej.
Aksioni i sotëm është me rëndësi për Myftininë e Shkodrës, sepse lirohet një truall legjitim i institucionit të muslimanëve të qytetit tonë (edhe të atyre, që mundohen të fshihen pas emrave të nderuar të gjyshërve fisnikë, edhe pse vetë nuk i gëzojnë këto dy cilësi, teksa pretendojnë se zhvatja e tyre ndaj vakëfit është në të vërtetë shfrytëzim i tokës së lënë të gjyshërve!? Sa turp për atë taban!), pavarësisht pengesave të shumta dhe ndërhyrjeve politike, por jo vetëm, për këtë dhe përtej këtij vakëfi!
Myftinia Shkodër nuk hoqi dorë nga kjo e drejtë legjitime, pavarësisht se kohëve të fundit media të caktuara kombëtare, vizive dhe të shkruara, por jo vetëm, nuk lanë gurë pa luajtur për të mbrojtur një zullum të madh, që qëndronte si një njollë turpi në një tokë, që kush nuk u përpoq për ta bërë të veten, e kush nuk u përpoq të fitonte qoftë edhe dy qindarka më shumë haram!
Por, jeta nuk ka begati me haram e mashtrim, me shitje të dinjitetit e izolim të ndërgjegjes, për të futur në dorë atë që është e huaja!
Në fakt, ky fenomen, sa vjen e merr formë të frikshme në Shkodër e Shqipëri, ku dita-ditës maska të shumta po bien dhe përherë e më tepër po shfaqen tiparet e fajdes, zhvatjes, grabitjes e mashtrimit në jetën e njerëzve!
O njerëz, hiqni dorë nga harami dhe pendohuni tek Zoti juaj, se e ardhmja nuk ndryshon, veçse mbi bazat e paqtimit me Zotin e gjithësisë dhe afrimin me udhëzimin e tij!
Sot, janë me dhjetra dosjet e pronave vakëf të shkelura padrejtësisht, mbi të cilat rëndojnë edhe 30 vite pas katrahurës së vitit të errët 1967!? Nuk e kishim ditur se demokracia do na sillte një zhvatje të re të pronave tona legjitime, edhe më dinake e më zullumqare se zia komuniste, atë të legalizimit!?
Pra, shumë prona që na i mori me dhunë sistemi komunist, na i zhvati rishtazi sistemi i ri i pas vitit 1990!
A është e denjë për një vend të vogël si Shqipëria, të ketë kaq shumë zullume, shkelje e mashtrime, korrupsion e mungesë të frikës së Zotit në zemrat e njerëzve?
Qoftë e hajrit dhe u pasoftë me pastrimin e shumë vakëfeve të tjera të uzurpuara, por edhe të keqmenaxhuara gjatë këtyre tri dekadave aktivitet të Myftinisë, pas ndryshimit të vitit 1990!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër