Në një analizë mbi zhvillimin e vakëfit dhe ecurinë e administrimit të Qendrës Tregtare, Tregun e madh dhe pjesën e liruar në Zdralej, zhvilluar ditën e martë, më 4 shkurt 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, kërkoi nga administrata e Myftinisë Shkodër përkushtim maksimal dhe zero tolerancë në raport me çështjet e vakëfit!
Myftiu theksoi se kur bëhet fjalë për zhvillimin e vakëfit, të gjithë duhet të jemi shërbëtorë dhe ta konsiderojmë çdo pëllëmbë vakëf si amanet të shtrenjtë e të shenjtë, për të cilin do të japim llogari para duarve të All-llahut!
“Kush dëshiron të punojë me përgjegjësi, duhet ta dëshmojë me vepra konkrete, jo me fjalë! Kur bëhet fjalë për vakëfin, do të thotë se jemi para një amaneti të shenjtë, që tejkalon kufijtë e frikës, ato të lidhjeve familjare, interesit personal e atij të miqësive! Vakëfi është kufi i ndaluar, para të cilit nuk i mbajmë periz askujt në botë, as përulemi para presioneve, thashethemeve, persekutimit e nëpërkëmbjes!”, tha ndër të tjera Myftiu.
Gjatë kësaj analize, administratori dhe menaxheri vunë në dukje ecurinë e deritanishme të zhvillimit të vakëfit në Zdralej, si dhe praktikën që po ndiqet për vënien më efiçencë të pjesëve të pazhvilluara a të keqmenaxhuara deri më sot.