Pranvera e jetës islame..!

Të dashur dhe të nderuar vëllezër e motra, besimtarë!

All-llahu i Madhëruar e begatoftë për secilin prej jush këtë mirësi të madhe në të cilën, sapo kemi hyrë këtë vit, me qëllimin e pastër që të agjërojmë e të afrohemi me Zotin tonë, duke u përpjekur me të gjitha forcat tona për të përfituar nga çdo moment i këtij muaji për t’u afruar me kënaqësinë e Zotit të botrave, për të gjallëruar zemrën me përmendjen e Tij, për të vënë gjymtyrët në shërbim të thirrjes së Tij, për të përhapur mirësinë dhe paqen e këtij muaji në mesin tonë, për t’i dëshmuar All-llahut (xh.sh.), më të mirën nga vetja e jonë! Për këtë, Resulull-llahu (a.s.) thoshte: “Tregoni pra, All-llahut, nga vetja juaj , vetëm të mira!”.[1]

Agjërimi i Ramazanit  është bërë obligim për muslimanët “në vitin e dytë të hixhretit, që do të thotë se Resulull-llahu (a.s.) ka agjëruar nëntë Ramazane”.[2]

Transmeton Sehli (r.a.), se Resulull-llahu (a.s.) ka thënë: “Në xhennet është një derë, që quhet Er-Rijjan, prej së cilës do të hyjnë agjëruesit në ditën e kijametit. Askush tjetër pos tyre nuk hyn prej saj! Do të thuhet: ‘Ku janë agjëruesit?’, e ata do të hyjnë prej saj. Në momentin, kur do të hyjë i fundit prej tyre, ajo do të mbyllet dhe askush nuk do të hyjë më prej saj!”.[3]

A nuk e keni vënë re se si shtohet harmonia dhe solidariteti në mesin e njerëzve në prag të Muajit Ramazan? I sheh duke pastruar, duke lyer, duke zbukuruar, duke ndihmuar nevojtarët e skamnorët, duke dhuruar mirësi, urime e bekime. Subhanallah, sa e bukur është kjo atmosferë, që sa vjen e bëhet edhe më e bukur, vit pas viti, duke sfiduar krejt vështirësitë e pengesat, prapagandat e ndalesat!

Imam El-Ajni në “Umde-në” e tij, shpjegon se: “Agjërimi ishte obligim edhe tek popujt e mëparshëm dhe se ai është mundësi për të mbërritur gradën e takvasë (përkushtimit), sepse ai hyn tek kategoria e mirësive, që e frenojnë njeriun nga shumë prej veseve dhe gjynaheve, që i dëshiron nefsi (egoja njerëzore). Në të ka edhe shëndet për trupin dhe ngushtim për kanalet e shejtanit…”.[4]

Nga këtu dhe përtej leximeve të shumta të tefsireve dhe studimeve të larmishme rreth dobive dhe mirësive të agjërimit të Ramazanit, afrohemi të kuptojmë madhështinë e ajetit kur’anor: “O ju të cilët keni besuar, për ju u bë obligim agjërimi, ashtu si ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm”.[5]

Dhe, siç lexojmë edhe në librat e tefsirit: “All-llahu i Madhëruar na sqaron nëpërmjet kësaj fjale se agjërimi trashëgon përkushtimin, duke marrë parasysh thyerjen e epsheve dhe mposhtjen e egos… Nga këtu kuptimi i ajetit është: ‘Jua obligova agjërimin, që të bëheni të përkushtuar nëpërmjet tij, prej atyre që i kam lavdëruar në Librin tim.’…”.[6]

Dhe, pa dyshim, një ndër format më të mira të ruajtjes gjatë ditës së agjërimit është edhe përkushtimi për të ruajtur gjuhën nga gënjeshtra, fjalët fyese, sharjet e të ngjashme.

Për këtë, Resulull-llahu (a.s.) thotë: “Kush nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe të punuarit me të, ta dijë se All-llahu nuk ka nevojë që ai të lërë ushqimin dhe pijen e tij”.[7]

Në shpjegimin e këtij hadithi në “Sunen” të Ebu Davudit, El-Adhimabadi sjell disa mendime të dijetarëve të shkuar rreth kuptimit të tij, ku veçoj: “Ka thënë Ibn Bettal: ‘Kuptimi i kësaj fjale nuk është urdhërimi i tij për të mos agjëruar, por tërheqja e vëmendjes për të mos gënjyer…’. Ndërsa Ibnul-Munir thotë: ‘Është metaforë e mospranimit…’. Ndërsa Ibnul-Arabi thotë: ‘Kuptimi i këtij hadithi është se personi i tillë nuk shpërblehet për agjërimin e tij.’… Me këtë hadith kanë argumentuar se këto vepra e pakësojnë shpërblimin e agjërimit.”.[8]

Në librin e tij me titull: “Agjërimi dhe rregullat e tij”, Hoxha i jonë, Shejkh Vehbi S. Gavoçi, duke shpjeguar veçoritë e Muajit Ramazan, ndër të tjera shkruan: “Në këtë muaj hapen dyert e xhennetit për të pritur grupet e njerëzve kërkues të mëshirës së All-llahut të Madhëruar dhe kënaqësinë e Tij. Në të mbyllen dyert e xhehnemit në hak të agjëruesve, sepse agjërimi është mburojë për ta nga ndëshkimi”.[9]

Prandaj, të dashur e të shtrenjtë vëllezër e motra besimtarë, lum si ata që përkushtohen në këtë muaj për të rregulluar marrëdhënien e tyre me Zotin e botrave, për të rregulluar namazin, për të përmirësuar komunikimin në familje, për të ndryshuar normat e sjelljes dhe për të zgjeruar zemrën në komunikim me të tjerët.

Ky muaj i begatë është mundësia e madhe e përmirësimit dhe ndreqjes, që na fton drejt distancimit nga gënjeshtra, thashethemi e përfolja, sikurse na nxit që ta ndërtojmë personalitetin e besimtarit me durim e sakrificë, duke pasur si shembull të Dërguarin e All-llahut!

“Ramazani është një muaj i veçantë në jetën e individit musliman dhe shoqërisë islame, ndërsa unë e quaj: Pranvera e jetës islame, pasi në të rinovohet krejt jeta! Gjallërohen mendjet me dije dhe njohuri, gjallërohen zemrat me besim dhe përkushtim, gjallërohet shoqëria me bashkëpunim dhe ndërlidhje, gjallërohet vullneti duke bërë gara njerëzit në bamirësi dhe vepra humanet të konsiderueshme!”.[10]

 

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër


(Mesazhi i xhumasë së parë të Muajit Ramazan 1441/2020,

që përkon edhe ditën e parë të agjërimit të këtij viti, më 24 prill 2020)

[1] Transmetuar nga Tabaraniu.

[2] Imam Bedruddin El-Ajni (v. 855 h.), në Umde-në e tij, (shpjegimi i Sahihul-Bukhariut), botimi i dytë, Liban, 2009, vëll. i 10-të, f. 362.

[3] Transmetuar nga Bhukhariu, Muslimi dhe Nesaiu.

[4] Imam Bedruddin El-Ajni (v. 855 h.), vep. e cit., vëll. i 10-të, f. 362.

[5] Kur’ani, El-Bekare: 183.

[6] Imam Fekhruddin Er-Razi, Et-Tefsirul-kebir, botimi i parë, Bejrut, 1990, vëll. i 5-të, f. 60.

[7] Transmetuar nga Bukhariu, Tirmidhiu, Ibn Maxheh, Ahmedi dhe Ebu Davudi.

[8] Sherefulhak Es-Siddiki El-Adhimabadi, Aunul-ma’bud sherh Suneni Ebi Davud, botimi i dytë, Damask, 2013, vëll. i 6-të, f. 318.

[9] Vehbi Sulejman Gavoçi, Es-Sijamu ve ahkamuhu, botimi i tretë, Bejrut, 1988, f. 11.

[10] Dr. Jusuf El-Karadavi, “Muaji i fitimit të njeriut”, në revistën arabe “El-Arabi”, nr. 493, dhjetor 1999.