Myftiu: “Muaji i Ramazanit, muaj i vëllazërisë dhe harmonisë në mesin e njerëzve!”

Mbrëmjen e së martës, më 28 prill 2020, nëpërmjet ligjëratës së prag iftarit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, theksoi se Muaji i Ramazanit është edhe muaj i forcimit të vëllazërisë në mesin e besimtarëve muslimanë dhe e shtimit të harmonisë në mesin e njerëzve në përgjithësi.

Me këtë rast, ai përcolli edhe një mesazh të rëndësishëm që lidhet me vlerat e harmonisë fetare në Shkodër, edhe në këtë atmosferë të begatë të Muajit Ramazan.

“Prej shenjave të mirësisë së Ramazanit, bekimeve hyjnore dhe sakrificave në këtë muaj të madhërishëm është edhe shfaqja e shenjave të vëllazërisë dhe unitetit mes njëri-tjetrit.

A ka diçka më të bukur sesa të shohësh njerëzit duke uruar njëri-tjetrin? Për shembull, kam vënë re, se në Shkodër ku bashkëjetojnë në harmoni muslimanë dhe të krishterë, inshallah, sa herë ka festa të komuniteteve fetare, besimtarët urojnë njëri-tjetrin, miqtë, shokët, bashkëpunëtorët, komshitë, etj. Muslimanët urojnë besimtarët e krishterë dhe të krishterët urojnë besimtarët muslimanë.

Këtë e kemi vënë re tani, edhe në harkun e dy-tre javëve të fundit, ku të tre komunitetet fetare kanë qenë të përfshira në një atmosferë të begatë me festa dhe ngjarje të shënuara në secilën prej besimeve.

Kemi parë se përhapja e frymës së harmonisë dhe vëllazërisë mes njerëzve ka qenë e dëshmuar dhe kjo është një mirësi e madhe, sepse përtej diversitetit, forca e besimit dhe elementët e përbashkët që nxisin bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellët, dominojnë dhe bëhen shkak për një dobi të madhe në komunitet.

Nga këtu them se kushdo që nxit harmoninë në mesin e njerëzve, duke e pranuar tjetrin e duke respektuar shenjtëritë e tij dhe përkatësinë fetare, duhet respektuar dhe nderuar!

Sot, pamë përshëndetjen e Kardinal Ernest Troshanit, i cili pavarësisht se jashtë vendit dhe jo në Shkodër, porse kishte një urim të përzemërt për ne myslimanët dhe kjo është diçka për t’u vlerësuar.

Duhet të kuptojmë dhe të vlerësojmë se muaji i Ramazanit është muaji i vëllazërisë në mesin e besimtarëve, si dhe nxitës i harmonisë në komunitet!”, – tha ndër të tjera Myftiu.

Ligjërata në prag të iftarit – (5)

Posted by Muhamed B. Sytari on Selasa, 28 April 2020