Të dashur dhe të shtrenjtë vëllezër dhe motra besimtarë,
Bashkëqytetarët e mi,
Bashkëkombas të dashur dhe të shtrenjtë, kudo që ndodheni,
Me zemër të mirë Muajin e Begatë të Ramazanit!
Tashmë, ditën e xhuma, më 24 prill 2020, ne dhe mbarë bota islame bëhemi gati të nisim adhurimin tridhjetë ditor të Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit, agjërimin e tij.
I Dërguari i All-llahut, Hz. Muhammedi (a.s.) thotë: “Ju erdhi Ramazani… Ju mëshiron All-llahu në të…”!
Vetëm po të ndalemi në këtë fjali të shkurtër, nga një porosi e gjatë e të Dërguarit të Zotit, ne kuptojmë vlerën e madhe që ka ky Muaj i Begatë i Ramazanit, i cili na afron në çdo moment të tij me mëshirën e Zotit, me faljen e Tij, si dhe më dashurinë e Tij të madhe për ne dhe krejt krijesat e Tij!
Pra, është momenti që t’i dëshmojmë All-llahut, Zotit të gjithësisë, më të mirën nga vetja e jonë, në sjelljen tonë, në përkushtimin tonë, në marrëdhënie me familjen, me farefisin, me komshitë, me shoqërinë dhe me çdo krijesë prej krijesave të Zotit!
Muaji i Begatë i Ramazanit është mundësia e privimit nga sjelljet që e dëmtojnë marrëdhënien tonë solide me Zotin.
Është mundësia e privimit, e largimit dhe e distancimit maksimal nga çdo sjellje që na largon nga mirëkuptimi, paqja dhe harmonia në marrëdhënie me të tjerët, kushdo qofshin ata!
Sepse njeriu është vëlla i njeriut!
Sepse ne kemi ardhur në këtë botë, që nëpërmjet vlerave të besimit dhe mësimeve të Librave të Shenjtë të ndërtojmë ura komunikimi, paqeje dhe harmonie në mesin e njerëzve!
Të dashurit e mi,
Ramazani i sivjetshëm na gjen në një gjendje ndryshe nga ato të viteve të kaluara.
Do të dëshironim që edhe sivjet të faleshim në xhamitë tona, si vitin që kaloi e vitet më parë. Do të dëshironim që të falnim namazet ditore me xhematë, namazin e teravisë, atë të xhumasë, të merrnim pjesë në leximin e përditshëm të Kur’anit Famëlartë, të merrnim pjesë në ligjëratat e imamëve tanë të nderuar.
Porse, për arsye që tashmë dihen dhe, në të gjithë botën islame, janë bërë shkak që të privohemi nga kjo mirësi e madhe, sivjet do të përpiqemi që në këto kushte të reja dhe në një realitet të ri ta dëshmojmë forcën e besimit, të shpresës dhe të optimizmit në Zotin e gjithësisë!
Të dëshmojmë forcën e karakterit dhe të besimit në zemrat tona, në harmoni me familjen dhe pjestarët e saj, duke i dëshmuar njëri-tjetrit mirësinë e besimit dhe vullnetin për ta përjetuar çdo moment të këtij Muaji të Begatë me besim dhe durim, me shpresë dhe optimizëm, se Zoti i gjithësisë është Mëshirues, Mëshirëbërës, na do dhe e ka bërë këtë Muaj të Begatë derë të madhe të afrimit me dashurinë e Tij!
Unë lutem me zemër që All-llahu i Madhëruar t’ju begatojë, të derdhë mëshirë dhe mirësi mbi secilin prej jush, ta begatojë vendin tonë, tokën tonë, shoqërinë tonë, mbarë njerëzimin!
Me zemër të mirë Muajin e Ramazanit!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Mesazhi i urimit me rastin e fillimit të Muajit Ramazan 1441/2020)