Në jetën e njeriut ka momente, ku e mira me krejt dimensionet e saj shfaqet në horizontet e tij, duke e ftuar të përfshihet nëatmosferën e tyre bekuese, ku i jepet mundësi të marrë e të përfitojë, për të përmirësuar gjendjen, për t’u lartësuar në miraxhet e lutjes dhe kërkimit të pëlqimit të Zotit të tanësisë, për të kërkuar falje para duarve tëTij, për gjynahet e ndryshme, për të ndrequr gabimet e shumta në përditshmërinë e marrëdhënieve të tij me veten e me të tjerët, për të kërkuar mëshirë e udhëzim për pjesën e mbetur të jetës, për të ndriçuar zemrën me dritat e dhikrit e adhurimeve, për të shtruar nefsin në udhën e përkushtimit e për të vënë atë në shinat e pranimit!
“Çdo gjë e ka një stinë, çdo mall e ka një treg, çdo nevojë e çështje e ka kohën dhe momentin e vet. Prandaj, kur njeriu kërkon për nevojën e tij, e gjen atë nënjë treg, sikurse, kur vrapon pas interesit a kërkesës së tij, në kohën dhe momentin e duhur, është i mundur ta gjejë e ta mbërrijëatë…
Poashtu edhe falja e gjynaheve dhe shlyerja e gabimeve ka stinën, kohën dhe ditët e veta të caktuara; ai që përkushtohet në realizimin e pendimit të tij, e arrin qëllimin dhe dëshirën e tij…”.[1]
Padyshim, një ndër këto momente të spikatura dhe të shumëpritura, është edhe muaji i begatëi Ramazanit, që sa herë vjen, sjell me vete njëfrymë të mrekullueshme përkushtimi dhe përuljeje ndaj vullnetit të Krijuesit të gjithësisë, duke na bërë të gjithëve më të mirë e më të butë, më të ndjeshëm ndaj besimit dhe thirrjes së fesë, më të afërt më njëri-tjetrin, më tëprekshëm në raport me skamnorët e nevojtarët në shoqëri.
Subhanallah, vetvetiu besimtari në këtë muaj, angazhohet për të bërë mirë, për të jetuar mirë, për të dhuruar mirësi e për të mbyllur krejt dyert e të keqes, duke mos i lënë shkas askujt të depërtojë me shigjetat e shejtanit, madhështinë nuranite të këtij muaji mubarek!
Në përkufizimin e agjërimit, thuhet se ai është: “Privimi nga ushqimi, pija, marrëdhëniet intime bashkëshortore dhe çfarë i bashkangjitet atyre, nga koha agimit të dytë deri në perëndimin e diellit.”[2]
Ndërsa Ibn Sejjidihi ka thënë: “Agjërimi është lënia e ushqimit,e pijes, e marrëdhënieve intime bashkëshortore dhe efjalëve!”[3]. E nënvizova këtë detaj, sepse shpeshherë fjala bëhet rrugë për depërtimin e hiseve të nefsit dhe të shejtanit, duke prishur zemra, duke ngatërruar miqësi e duke shkatërruar ura komunikimi e marrëdhëniesh në mesin e njerëzve!
Prandaj, Resulull-llahu (a.s.) na porosit: “Agjërimi është mburojë, prandaj (agjëruesi) mos të flasë fjalë të ulëta, as mos të shfaqë shenja të selljeve të injorancës[4], e nëse dikush e ngacmon, ose e shan, le të thojë: Unë jam agjërueshëm, dy herë!
Pasha Atë që e ka frymën time në dorën e Tij, shija e gojës së agjëruesit është më e mirë tek All-llahu (në ditën e gjykimit) se era e miskut!
(All-llahu i Madhëruar thotë për agjëruesin:) E lë ushqimin e tij, pijen e tij dhe epshin e tij për hatrin Tim! Agjërimi është i Imi dhe Unë e jap shpërblimin për të dhe, e mira shumëfishohet për dhjetëfishin e saj!”.[5]
Ndërsa në transmetimin e Imam Daremiut: “Agjërimi është mburojë, përderisa nuk e shqyen atë me përfoljen e të tjerëve pas shpine (me gibet)”.[6]
Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra, të bëhemi gati për të përfituar nga kjo mirësi e madhe që po na vjen, sepse koha ikën dhe i lumi ai që përfiton nga bekimet e All-llahut në hapësirat e saj!
Të bëhemi gati e të pastrojmë zemrat me dhikër e kërkim falje, shtëpitë tona me mbledhjen e fëmijëve dhe familjarëve përreth mihrabit të lutjes e përkushtimit, hapësirat tona me përkushtimin e zemrave dhe përpjekjen e vazhdueshme për të falur mirësi e paqe!
“Muaji i Ramazanit është muaj i pendimit dhe i faljes, muaj i bindjes dhe i mirësisë, muaj i dhikrit dhe i dashnisë, muaj i përkushtimit dhe i afrimit. Resulull-llahu thoshte: ‘I ngrati ai njeri, që i vjen Ramazani dhe nuk i falen gjynahet’[7]”.[8]
Pra, të gjithë e kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të përfituar mëshirën dhe faljen e Zotit tonë në këtë Muaj!
Secili prej nesh e ka mundësinë e madhe të përkushtohet me krejt forcat e tij, për të dëshmuar më të mirën nga vetja e tij, për të parë se sa e mrekullueshme është jeta e disiplinuar me rrugëtimet e paqta drejt fitimit të pëlqimit të Zotit në jetë!
Sa e bukur është dita që nis me vullnetin për të agjëruar, me zgjimin që në orët e para të paraagimit, me përgatitjen për të ngrënë syfyrin në një kohë lutjesh, me faljen e namazit të sabahut me xhematë, me leximin e dhikreve dhe virdeve të përditshme të Kur’anit Famëlartë, me nijetin e hatmes, pas së cilës ka edhe një lutje të pranuar, siç ishte edhe tradita e bukur e sahabëve të shtrenjtë.
Sa e begatëështë dita, teksa në vetëdijen tonë ne jemi agjërueshëm, pra, të dorëzuar para vullnetit të Zotit tonë, larg tendencës për të bërë dëm, a për të lejuar të na bëhet dëm; larg thashethemit, a cytjes për të na përfshirë në të; larg inatit, smirës e urrejtjes për krijesat e Zotit!
Sa i bukur është ai moment, kur ulemi në tryezën e iftarit, duke pritur çastin e këndimit të ezanit, për të bërë një duâ, për të dhuruar një buzëqeshje, për të marrë një lutje nga prindërit e dashur, për të falur një bekim për fëmijët tanë, për të dëshmuar bashkarisht një moment sublim, që na lidh me mirësinë tridhjetëditore të këtij Muaji të Madhëruar!
Ky është Muaji që të gjithë e presim, për t’u angazhuar edhe më shumë me hakun e Zotit dhe hakun e fesë së Tij në jetën tonë; duke u privuar nga disa lejueshmëri në harkun e disa orëve, duke e angazhuar veten me leximin dhe kuptimine Kur’anit, duke iu përkushtuar haditheve dhe leximit e kuptimit të jetës dhe shembullit të Hz. Muhammedit (a.s.), duke u përpjekur për të dhënë e për të fituar kënaqësinë e All-llahut të Madhëruar nëçdo frymë të kësaj periudhe të begatë, duke ruajtur me korrektësi faljen e namazeve në kohën e duhur, si dhe duke afruar familjen rreth sofrës së udhëzimit dhe dritës së besimit e të fesë.
Në leximet e të parëve, gjeta edhe këto shënime të përmbledhura nga trashëgimia e të urtëve, ku ndër të tjera shkruhet: “Këtê muej të famshëm e ka stolisun i Madhi Perendí me fillimin e komunikimit të Kur’anit të shêjtë. Në kët muej u vu themeli i parë i fés së naltë, e cila âsht kulmi i të parave, i féve Hyjnore… Erdhi pra koha të plotsohet feja Islame, qi pat fillue qysh me Hazreti Ademin.
…
Njeriu duhet t’a mendojëdy minuta dhe t’a pyesë vehten mbi shkakun, pse âsht krijue, ç’âsht misjoni i tij, pse vdes dhe ç’âsht jeta e errët e tij mbas vdekje. Nuk ka ardhë në këtê botë vetëm me ngranë, me pí e me dëfrye, sikur shtâzët. Te njeriu mshihet nji qellim tjetër, qellim shumë i naltë, i cili e dalloi njerinë nga shtâzët e tjera…
Mbasi çështja qëndron kështu, nuk duhet me dhanë gjykim të shpejtë mbi Ramazanin e bekuem, si e kanë zakon disa materjalistë, të cilët kujtojnë se fitojnë lavdí tue e mohue e përbuzë Ramazanin. Kush përbuzë Ramazanin bân tre faje: 1) Bân faj para vehtes, pse e tregon se s’ka ndjenje shpirtnoree morale. 2) Bân faj para ligjit, pse përbuzë atê qi tjetri e ka shumë të shêjtë. 3) Bân faj para Zotit, sepse përbuz urdhnin e Tij.
…
Agjinimi âsht adhurimi mâ i pëlqyeshëm, sepse âsht sekret, bâhet fshehtas e kryhet drejt për drejt për hirin e të Madhit Zot.
Agjinimi ka edhe cilësi higjienike e morale: e çvesh njerín nga të gjitha cilsít shtâzore dhe e afron me cilsít hyjnore, e ban të durueshëm dhe i ep idé mbi urín e varfrís dhe e ban zemër mirë para tyne…”.[9]
All-llahut të Madhëruar i lutemi tëna mundësojë t’ia mbërrijmë këtij bekimi të madh dhe të përfitojmë nga çdo ditë e natë e kësaj periudhe 30 ditore për t’u paqtuar me Zotin, për t’u kthyer në gjirin e besimit, për të hapur një faqe të re me Krijuesin dhe krijesat! Amin!
Derdhe o Dritë atë begati,
Qi t’a fali Zoti për mirësi,
Neve të bindun na ke gadi,
Qi të vish ç’do Vit me mbarësi…[10]
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 17 prill 2020
[1] Shejkh Ahmed Keftaro, Min hedjil-Kur’an, Damask, pa vit botimi, tema me titull: “Përfitimi nga stinët e mëshirës”, f. 241.
[2]Imam Bedruddin El-Ajni (v. 855 h.), në Umde-në e tij, (shpjegimi i Sahihul-Bukhariut), botimi i dytë, Liban, 2009, vëll. i 10-të, f. 361.
[3] Po aty, f. 361.
[4] “Si britmat, veprat e ulëta dhe tallja” – Imam Bedruddin El-Ajni (v. 855 h.), vep. e cit., vëll. i 10-të, f. 367.
[5] Transmetuar nga Imam Bukhariu, nga Ebu Hurejra (r.a.).
[6] Të shihet: Imam Bedruddin El-Ajni (v. 855 h.), vep. e cit., vëll. i 10-të, f. 367.
[7]Transmetuar nga Imam Bukhariu në ‘Edebul-mufred’, nga Ebu Hurejra (r.a.), hasenun-sahih. Poashtu Tirmidhiu nga Ebu Hurejra (r.a.) me përafërsi.
[8]Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi, Teemulat fil-Islam, botimi i parë, 2013, Amman, f. 109.
[9]H.Sh. (Haki Sharofi), Ç’ka asht Ramazani?, në revistën Zâni i Naltë, vjeti VI, Ramazan 1348 – Fruer 1930, nr. 3, Shkodër, 1930, f. 934-936.
[10]F.V. (Ferit Vokopola), Hana e Ramazanit, në revistën Zâni i Naltë, vit’ i IV, Kallnur 1927, nr. 6, Shkodër, 1927, f. 173.