Të hënën, më 20 prill 2020, në prag të muajit të madhëruar të Ramazanit, Myftinia Shkodër në sajë të mbështetjes nga institucionet partnere të saj, brenda dhe jashtë vendit, ka organizuar projektin e shpërndarjes së ndihmave me pako ushqimore për 60 familje në nevojë.
Përfaqësuesi i Myftinisë, teologu Arben Halluni në fjalën e tij para medieve tha se: “Këto ndihma vijnë si përgjigje e thirrjes së Allahut (xh.sh), që në këto situata që po kalon vendi ynë dhe mbarë bota, si shkak i pandemisë globale të koronavirusit si dhe në vigjilje të muajit më të mirë islam, Ramazani, të ofrojmë solidaritetin dhe kontributin tonë ndaj shtresave në nevojë, të varfërve, të vetmuarve etj”.
Teologu Halluni tha se: “Nëse jemi të këshilluar më të drejtë nga institucionet e vendit që të bëjmë distancim social dhe fizik, kjo nuk do të thotë që të bëjmë distancim shpirtëror dhe human ndaj të vobektëve dhe nevojtarëve”.
Në fund ai i bëri thirrje biznesmenëve që të afrohen dhe të kontribuojnë edhe ata sidomos gjatë muajit të begatë të Ramazanit si dhe uroj të gjithë besimtarët për agjërim të lehtë dhe të pranuar nga Zoti Fuqiplotë.
Myftinia Shkodër në ditët në vijim do të vazhdojë me projekte të tjera bamirëse për shtresat e varfra në mënyrë që t’i lehtësohet sado pak situata e tyre e vështirë ekonomike dhe sociale.