Ditën e xhuma, më 29 maj 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e fshatit Bardhaj, ku iu drejtua të rinjve muslimanë me një mesazh që lidhet me frymën e rizgjimit dhe rimëkëmbjes islame.
Myftiu lexoi disa nga ajetet e sures “Jusuf”, ku theksoi se rinia e jonë ka nevojë të lexojë në thelbin e ajeteve të kësaj sureje, shembullin e besimtarit të suksesshëm, që mbështetur mbi pragun e besimit, nuk e humb shpresën, por përherë triumfon, përtej sprovave dhe pusive të jetës.
Ai tha se shembulli i Hz. Jusufit (a.s.), është modeli i besimtarit me peshë dhe influencë në shoqëri, model i dijes dhe aftësive, si dhe nxitje për të rrezatuar besnikëri, dije, guxim dhe vetëbesim në forcat dhe dhuntitë e fituara në jetë.
Myftiu iu drejtua të pranishëmve: “Ju të dashur të rinj jeni të ftuar të ndiqni shembullin e Hz. Jusufit (a.s.) për t’u bërë nesër njerëz me pozitë më shoqërinë tuaj, nëpërmjet rrugëve të dijes! Nëse doni që nesër të jeni dikush dhe të keni një pozitë, këtë mund ta arrini nëpërmjet sinqeritet tuaj me Zotin dhe besimin në All-llahun e Madhëruar, por nëpërmjet rrugëve të dijes! …
Nëpërmjet shembullit të Hz. Jusufit (a.s.), All-llahu i Madhëruar na fton të besojmë dhe të shpresojmë për një të ardhme, ku muslimanët të kenë fjalën e tyre, vendimin e tyre, pozitën e tyre, fjalën e tyre, ndryshe nga realitetet e këtyre dekadave, ku të gjithë jeni dëshmitarë të dyfytyrësisë, investimeve selektive, përpjekjes për të dëmtuar tabanin kombëtar, e ngjashëm me këtë, vetëm e vetëm për lënien pas dore të muslimanëve dhe zonave të tyre!
Koha është për t’u zgjuar, për një rimëkëmbje të dëshmuar, për gjallërimin e jetës tonë fetare dhe ndryshimin e gjuhës së komunikimit, për t’u ndarë nga folklorizmat dhe fryma e tyre mpirëse e mbytëse!”.