Gjatë periudhës së inkorporimit të një shteti në territorin islam, jomuslimanët mund të shkonin kudo që dëshironin, ose të nënshkruanin një kontratë me shtetin islam dhe të vazhdonin të jetonin atje duke respektuar kushtet e kontratës. Kjo kontratë ndërmjet shtetit islam dhe jomuslimanëve quhej ‘zimmet’ dhe jomuslimanët, të cilët e nënshkruanin kontratën ‘zimmî’.
Sipas saj, zimmîtët pranonin në thelb të zbatonin rregullat e ligjit islam dhe në këmbim të mosangazhimit në shërbimin ushtarak, paguanin taksën, të quajtur xhizje.
Në këmbim të saj, shteti u garantonte sigurinë e jetës dhe pronës, si dhe i lejonte të ushtronin besimet e tyre fetare. Kontrata e firmosur me zimmîtët në periudhat më të hershme gjithmonë theksonte këto kushte.
E bazuar në thëniet e Kur’anit, të sures El-Bekare (2/256), Junus (10/99) dhe në Traditën e Profetit, liria fetare dhe ajo e besimit që u akordohej jomuslimanëve, nuk shihej vetëm si liri për besimin dhe praktikën fetare, por gjithashtu si liri në të gjitha çështjet ligjore, si martesa, divorci, trashëgimia sipas ligjeve të tyre dhe si plotësim i natyrshëm i këtyre lirive.
Parimi i përgjithshëm në këtë çështje u përmblodh nga juristët, “si të ishin urdhëruar për të mos ndërhyrë në çështjet dhe në fenë e tyre”.
Kështu që, kur kalifi emevi Omer ibn Abdulaziz e pyeti dijetarin e famshëm, Hasan El-Basri, nëse shteti mund të ndërhyjë në martesat e zimmîve, të cilat konsideroheshin të paligjshme sipas ligjit islam, ai u përgjigj se nuk duhej ndërhyrë përderisa ata paguanin xhizjen në mënyrë që të jetonin sipas fesë së tyre. … Me fjalë të tjera, u ishte dhënë autonomia ligjore.
…
Kur guvernatori i Egjiptit, Muhammed ibn Ebû Bekr pyeti se cili ligj duhej zbatuar në rast tradhëtie bashkëshortore, kur përfshihen një musliman dhe një i krishterë, Aliu u përgjigj se ligji islam duhet zbatuar tek muslimani dhe ligji i krishterë tek i krishteri… (vijon inshallah)
📌 “Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman”, botuar nga AIITC, Tiranë, 2009, vëll. 1, f. 456-458.