Mbrëmjen e së shtunës, më 4 korrik 2020, në vazhdën e ciklit të ri të ligjëratave me temë: “Xhamia na mbledh, drita e All-llahut na udhëzon!”, u mbajt ligjërata me temë: “Sinqeriteti, sekreti i shpërblimit të veprave”, nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.
Në ligjëratën e tij, Myftiu vuri theksin te domosdoshmëria e korrigjimit të nijetit dhe angazhimit për të kontrolluar veprat e përditshme, me qëllim fitimin e pëlqimit të All-llahut të Madhëruar në jetën tonë dhe në të përtejmen.
Ai tha se, një vepër sado e vogël, për shkak të nijetit, mund të shumëfishohet në peshoren e shpërblimeve, sikurse një vepër madhështore që mund të shumëzohet me zero për shkak të nijetit të vepruesit të saj!
Nëpërmjet haditheve, ajeteve dhe ngjarjeve nga jeta e përditshme, Myftiu tërhoqi vëmendjen që gjithësecili të kontrollojë nijetin e veprave të tij, të mos fusë hundët në punët e të tjerëve, të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete dhe të kontrollojë marrëdhënien e tij me hallallindhe haramin në jetë.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga imamët e nderuar, H. Ervil Kuçi (imam i xhamisë Dërgut) dhe H. Nebi Alija (imam i xhamisë së Velinajve).
Cikli i ri i ligjëratave javore do të vijojë edhe në xhami të tjera të qytetit dhe fshatit.