Ditën e enjte paradite, më 2 korrik 2020, Myftinia Shkodër inauguroi hapjen e tregut të ri të fruta-perimeve në vakëfin e Zdrales.
Administratori i Myftinisë Shkodër, z. Saimir Dritareti dhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër, z. Arben Gjuraj u shprehën përpara mediave, se hapja e këtij tregu është një shërbim i mirë dhe bashkëkohor, jo vetëm për tregtarët ambulantë, por edhe për qytetarët, të cilët tani e tutje do të blejnë nevojat e tyre në një treg bashkëkohor dhe të sistemuar mirë.
Ndërkohë, Kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi nga profili i saj në facebook, ndër të tjera u shpreh se: “Në sajë të bashkëpunimit me Myftininë e Shkodrës tregu tashmë është funksional në mjedise krejtësisht të reja dhe shumë të përshtatshme për aktivitet tregtar. Ishte Myftinia e Shkrodrës, e cila mundësoi ndërtimin e këtij tregu që jep mundësi punësimi për dhjetëra familje. Sot tregtarët e sistemuar në këtë treg, shprehen të kënaqur, ashtu siç edhe klientët e tyre që rikthehen pas rreth 2 muajve e gjysmë ndërprerje për shkak të masave për mbrojtjen nga pandemia… Bashkia Shkodër shpreh falënderimet Myftinisë së Shkodrës për mbështetjen, fermerëve dhe tregtarëve për durimin për pritjen. Duke punuar bashkë, përmirësojmë jetën tonë, ndihmojmë qytetin, familjet tona për një jetë më të mirë.”