Sot është një ditë e gëzuar për komunitetin musliman të fshatit Rrushkull!
Pas shumë përpjekjesh, në bashkëpunim me Fondacionin “Komiteti i Bashkuar Kuvajtian”, pas miratimit të dhënë nga Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, dakortësisë së Zyrës së Administratorit të Njësisë Administrative Dajç dhe dhurimit të vakëfit nga i nderuari z. Hamza Vera, sot bëjmë piketimin e kibles dhe përgatitjet e para për xhaminë e re.
Ky është një lajm i begatë për shumë e shumë muslimanë të një zone, thuajse të aneksuar, që prej dekadash kryejnë ritet e tyre në një ambient tejet të amortizuar. Sa e sa herë kemi marrë kërkesa nga ata besimtarë të mirë e besnikë për ndërhyrjen a gjetjen e një zgjidhjeje, dhe ja, durimit të tyre po i vjen kjo dhuratë e madhe e Krijuesit të gjithësisë.
Në pamundësi për të marrë pjesë fizikisht, për shkak të udhëzimit mjeksor për të pakësuar maksimalisht lëvizjet, jam i detyruar sot, ta bëj këtë urim nga kjo tribunë, duke u lutur me zemër që kjo datë, që përkon me 30 vjetorin e rihapjes së xhamisë së parë pas periudhës së errët, si edhe me fillimin e muajit të ri Safer 1442, të mbahet mend si datë e gëzueshme për të gjithë ne!
Aty ku ndërtohet një xhami, aty është një gjurmë e rrënjosur e Qabes së Madhnueshme të Hz. Ibrahimit (a.s) e Hz. Ismailit (a.s), aty është një hise e Kubasë Sherife dhe Xhamisë së Resulull-llahut (a.s)!
Prandaj ta falënderojmë All-llahun e Madhëruar për këto mirësi, me të cilat na dëshmon mëshirën dhe kënaqësinë e Tij! Sepse aty ku ndërtohet një xhami, aty në fakt, leja fillestare është ajo e Vetë Krijuesit të gjithësisë, që me bekimet e Tij ka lejuar që një Shtëpi prej shtëpive të Tij të ngrihet në atë cep të tokës së Tij! Urdhëron: “Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon nga drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë. (ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që All-llahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje.” – (Kur’ani, En-Nur: 35-36).
Një falënderim i madh, shoqëruar me mirënjohje të thellë për bamirësit zemërgjerë nga Shteti i Kuvajtit, bamirësia e të cilit ka prekur çdo cep të botës, duke u bërë dëshmitari më i mirë se si ndarja e pasurisë me vëllezërit e tu dhe solidarizimi me tjetrin, jo vetëm që të pasuron, por të lartëson në pozitat më të larta të kësaj bote dhe të përtejmes!
Me zemër të mirë e me begati për muslimanët e Rrushkullit, për zonën e Shkodrës, për Myftininë tonë dhe për krejt besimtarët, që gëzojnë për këtë myzhde të madhe!
Shkodër, më 18 shtator 2020