Paraditën e xhuma, më 18 shtator 2020, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Fondacionin “Komiteti i Bashkuar Kuvajtian”, pas miratimit të dhënë nga Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pëlqimit të Zyrës së Administratorit të Njësisë Administrative Dajç dhe dhurimit të vakëfit nga i nderuari z. Hamza Vera, bënë piketimin e drejtimit të kibles dhe nisën punimet e para përgatitore për xhaminë e re në fshatin Rrushkull-Belaj.
Në emër të Myftinisë Shkodër përshëndeti teologu Lavdrim Hamja, i cili përcolli selamet dhe përshëndetjet e përzemërta të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili për arsye shëndetësore e kishte të pamundur të merrte pjesë në këtë ceremoni të begatë të piketimit të drejtimit të kibles dhe punimeve përgatitore për ndërtimin e xhamisë së re.
Teologu Hamja falënderoi të gjithë ata, të cilët u bënë shkak për ndërtimin e kësaj xhamie, veçanërisht dhuruesin e tokës ku do të ndërtohet xhamia, donatorin “Humanitarian Relief Society – Kuwait”, Fondacionin “Komiteti i Bashkuar Kuvajtian”, që do të zbatojë projektin e ndërtimit të xhamisë xhamisë, popullin kuvajtian, të cilët vazhdimisht po kontribuojnë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, banorët e fshatit, si dhe imamin e xhamisë së fshatit Rrushkull, H. Suad Lekaj dhe H. Kujtim Cufaj imam i fshatit Shirq, por që më parë ka shërbyer në këtë fshat.
Në emër të Fondacionin “Komiteti i Bashkuar Kuvajtian” përshëndeti z. Elton Beka, ku falënderoi Myftininë Shkodër, për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e frytshëm në ndërtimin e xhamive në Zonën e Shkodrës, donatorët dhe banorët e zonës, që ishin të pranishëm në këtë ceremoni.
Myftinia Shkodër lutet që All-llahu i Madhëruar t’i shpërblejë të gjithë me të mira e begati, kudo qofshin ata, të cilët kontribuojnë dhe ndërtojnë xhami e projekte bamirëse në shërbim të komunitetit.