Ditën e xhuma, më 30 tetor 2020, nga xhamia e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari , dha mesazhin e tij të kësaj jave, edhe në atmosferën e begatë të përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).
Në hytben e tij, Myftiu vuri theksin tek përpjekjet e pandershme që prej kohësh përpiqen të prishin imazhin e Islamit dhe muslimanëve, duke i mveshur atyre çfarë nuk ka lidhje me fenë dhe thelbin e saj.
“Allahu ekber nuk ndez zjarre, Allahu ekber nuk mund të jetë asnjëherë simbol i shkatërrimit dhe i djegies!
Dhe ne nuk duhet të pranojmë nga askush në botë që përpiqet të shëmtojë imazhin e kësaj dëshmie të shtrenjtë dhe të shenjtë, me të cilën vijmë në këtë botë, me të cilën jetojmë dhe me të cilën hapim rrugët drejt të ardhmes duke e ndërtuar jetën si mëkëmbës të Allahut!
Sot, në këtë ditë teksa natyrshëm dënojmë, siç kemi bërë në vazhdimësi krimet e shëmtuara në disa vende, nuk jemi ne ata që duhet ta ndijmë veten të fajësuar sa herë në një vend apo në një cep tjetër të botës dikush, një anonim që kryesisht vritet në vend dhe nuk tregohet se kush ishte, pse ishte dhe pse e bëri etj.; nuk kemi pse të kompleksohemi dhe të ndjehemi në faj, kur dikush vret këtu apo atje!
Jo të dashurit e mi! Ymeti i 2 miliardëve e kusur, nuk mund të poshtërohet, as ai dhe as feja e tij, se diku në një cep të botës, një anonim duke thirrur ‘Allahu ekber’ ka bërë një vepër përçudnuese, një vepër kriminale, një vepër të dënueshme që e dënon Kuran, që e dënon Pejgamberi dhe që e dënon Islami!
Atëherë tema të tillë si ‘terrorizmi islamik’, ‘fondamentalizmi islamik’ a ‘ekstremizmi islamik’ ne nuk i pranojmë nga askush në botë dhe i kthejmë mbrapsht! Ia kthejmë sepse nuk i duam dhe nuk janë tonat!
Kush është ai që guxon sot, të na thotë se liri e fjalës është të tallesh me shenjtërinë e mbi 2 milardë njerëzve në botë?! Kjo është lajthitje, kjo është histeri dhe kjo është humbje e ekuilibrit mendor, intelektual, qytetërues dhe mungesë e theksuar e zhvillimit të vlerave të racës njerëzore! Është dekadencë morale dhe intelektuale, pas të cilës ne nuk shkojmë dhe të cilën nuk e pranojmë!” – tha ndër të tjera Myftiu.