Paraditën e së shtunës, më 31 tetor 2020, u zhvillua takimi i gjashtë i trajnimit 10 javor me imamët e Myftinisë Shkodër.
I ftuar special në këtë tryezë të veçantë elitare, ishte mendimtari islam damasken, Dr. Salahudin Ahmed Keftaro.
Në ligjërimin e tij, Dr. Keftaro iu drejtua imamëve të pranishëm me disa këshilla dhe udhëzime bashkëkohore, që burojnë nga urtësia e Shkollës së Kryemyftiut rahmetli të Sirisë, H.T. Shejkh Ahmed Keftaro.
Ndër të tjera, ai theksoi se: “Shumë muslimanë kanë lënë pas dore kuptimin e thellë të fesë dhe janë kapur pas shfaqjes së jashtme të adhurimeve, dhe kjo nuk është esenca dhe thelbi i fesë!”.
Njëkohësisht, duke trajtuar zhvillimet e fundit pas deklaratave islamofobe në Francë, ai theksoi se: “Ne si muslimanë i duam të mirën njerëzimit dhe duam që atdheu ynë, kudo qofshim, të lulëzojë, përtej diversitetit të shoqërisë!”.
Takimi u shoqërua edhe me ndërhyrjet e teologut Arben Halluni dhe imamit të nderuar, H. Fejzi Zaganjori, që u lutën edhe paqen në Siri dhe zgjimin e botës islame drejt vlerave të baahkimit dhe harmonisë.
Në fjalën e rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi mikun e madh, Dr. Salahudin Keftaro, sikurse theksoi se imamët sot, kanë një përgjegjësi të madhe për të dalë nga bota e detajeve përçarëse drejt thirrjes me urtësi dhe zgjimin e shoqërisë nga prag humnerat, ku e kanë çuar politikat e gabuara, që ndezin zjarre të urrejtjes, racizmit e islamofobisë në botë.