12 dhjetor 2014, ishte një ditë e bekuar, në të cilën përuruam me shumë gëzim xhaminë e “Dy Vajzave – Sara dhe Shehd”, në vakëfin shekullor të Haxhi Shabanit, bamirësit të madh shkodran, emri i të cilit mbeti i lidhur pas bamirësisë, që i ruajti shembullin edhe shekuj më pas.
Sot, pas gjashtë viteve, teksa kthej kokën pas, ndjej një kënaqësi të madhe për këtë mirësi, që na u shkrua të jemi pjesë e saj; dikush me një fjalë, dikush me këmbënguljen për të kthyer në vend një vakëf të zaptuar, dikush me interesimin e vazhdueshëm për arritjen e koordinimit me donatorin, dikush me pasurinë e tij dhe gjurmën e vlerësuar e të dëshmuar, dikush e shumëkush, me aq sa i ishte shkruar të kishte hise shërbimi e angazhimi për arritjen e kësaj dite shendi të rrënjosur në memorien tonë komunitare.
Sot, xhamia e “Dy Vajzave” është pa dyshim një xhami që e ka krijuar profilin dhe emrin e saj, kjo edhe falë përkushtimit të imamit, muezinit dhe besimtarëve frekuentues të saj, por jo vetëm.
Pas miratimit të Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe mbështetjes së vazhdueshme, si dhe falë bashkëpunimit të Myftinisë Shkodër me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam në Tiranë, sot, kjo xhami tregohet me gisht për aktivitetin e saj, cilësinë e tij, si dhe kthimin në një qendër islame të dashur për krejt brezat frekuentues të saj.
Në këtë kontekst, më duhet të shpreh falënderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë për krejt ata burra të përkushtuar, që u bënë shkak, që sot të kemi këtë bekim për komunitetin, Shkodrën e shtrenjtë dhe krejt besimtarët.
Në krye të herës, mikun e vjetër dhe dashamirin e Shkodrës, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, i cili trokiti një ditë ne derën e Myftinisë Shkodër për një projekt, që nuk kishte nevojë për t’u diskutuar, as kohë për të humbur drejt realizimit të tij. Dy vakëfet më të përshtatshme për të, ishin të dy të zaptuar e të pa plotësuar në dokumentacion. Falë përpjekjes sonë institucionale, u realizua lirimi i një pjese të vakëfit të Shaban Efendisë, ku edhe nisën punimet për xhaminë e re, falë edhe bashkëpunimit me Bashkinë e Shkodrës dhe institucionet lokale, ku nuk mungoi gatishmëria për të bërë më të mirën e mundur, Allahu i shpërbleftë!
Jam dëshmitar i gëzimit që na kaploi atë ditë, bashkë me të nderuarin Dr. Zekaj, kur prindi i njërës prej “Dy Vajzave”, durimtari zemërmirë, inxh. Ahmed Esh-Shaia, në emër të donatorëve, dha pëlqimin e tij për vendin dhe detajet e tjera të realizimit të këtij projekti me vlerë të madhe për komunitetin e qytetin tonë.
Allahu i Madhëruar ia shpërbleftë me mirësitë e Tij dhe e bëftë këtë vepër, dëshmi të madhe të besimit dhe të përkushtimit në peshoren e veprave të tyre të mira në ditën e gjykimit.
Nga ana tjetër, më duhet të shpreh falënderime të përzemërta për teologun Lavdrim Hamja, imamin e nderuar të kësaj xhamie; për muezinin e saj, Haxhi Rexhep Osja, për mirëmbajtësin vullnetar të lulishtes dhe ambienteve rrethuese të xhamisë së “Dy Vajzave”, të palodhurin prof. Xhevat Kuçi, për pjestarët e këshillit të xhamisë, për mbështetësit e projekteve dhe aktiviteteve të saj, si dhe për krejt frekuentuesit e saj, që e mbajnë në gjallëri, falë përkushtimit të tyre.
Allahu i Madhëruar i begatoftë muslimanët e Shkodrës dhe krejt qytetarët e saj, i ruajt nga çdo e keqe dhe i gëzoftë me mëshirën dhe mirësitë e Tij; na ktheftë nga dyert e bamirësisë, mirëkuptimit e harmonisë, na udhëzoftë përherë drejt hapësirave të pakufishme të dashnisë së Tij, për ta marrë e për ta përhapur kudo, me sa të kemi mundësi, për të mirën e qytetit e krejt vendit, në rrugën e dëshmimit si të dashurit e Zotit Një!
Bekime e mirësi!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 12 dhjetor 2020