Pasditën e të hënës, më 15 shkurt 2021, Myftinia Shkodër me mbështetjen e fondacionit “Mirënjohja” dhe bamirësve nga Shteti i Kuvajtit, organizoi shpërndarjen e radhës të 70 pakove me ushqime dhe me nga dy batanije për banorët e fshatrave Goricë, Muriqan, Velinaj, Alimetaj dhe Oblikë, Njësia Administrative Ana e Malit, të prekur nga përmbytjet e fundit në zonën e NënShkodrës.
Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni para banorëve të zonës Goricë tha se këto ndihma që shpërndahen sot, për familjet e prekura nga vështirësitë e përmbytjes së ditëve të fundit, kanë për qëllim të lehtësojnë sadopak këtë situatë të vështirë për banorët e prekur nga kjo sprovë, si dhe për të shprehur frymën e solidaritetit në çdo situatë.
Teologu Halluni falënderoi fondacionin “Mirënjohja” dhe bamirësit nga Shteti i Kuvajtit, që iu përgjigjën thirrjes së Myftinisë Shkodër për të ndihmuar disa zona të prekura nga përmbytjet në këtë situatë të vështirë pandemie.